Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur më 31 maj se është vendosur masa e paraburgimit për një muaj për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan para dy ditëve.

 

Ata dyshohet se ishin pjesë e përleshjes mes protestuesve dhe forcave të rendit më 29 maj në Komunën e Zveçanit. Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit.

 

Avokati i njërit nga të akuzuarit, R.P., Dejan Vasiq ka paralajmëruar apelim të vendimit në Gjykatën e Apelit, ndonëse ka thënë se nuk ka shumë pritje.

 

“Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë shpjegim për vlefshmërinë e dyshimeve. Kjo është hera e parë që kam parë dikë që e bazon dyshimin në raportime të mediave, pa ndonjë dëshmi konkrete për atë që janë akuzuar”, tha Vasiq për REL-in.

 

Ndër tjerash, ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”, ndër tjera.

 

Protestat në këto komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

 

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

 

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *