Ushtria gjermane tha të hënën së një shkëmbim zjarri ndodhi jashtë portës veriore në aeroportin e Kabulit, ku sulmues të panjohur vranë një oficer afgan të sigurisë dhe plagosën tre të tjerë.

Ushtria gjermane tha se forcat e saj dhe ato nga Shtetet e Bashkuara ishin përfshirë në përleshje.

Aeroporti u shndërrua në zonë evakuimesh masive nga vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, që kur talebanët morën kryeqytetin afgan një javë më parë.

Dhjetëra mijëra afganë janë dyndur në aeroportin e Kabulit me shpresën për të siguruar një vend në një nga fluturimet e evakuimit, nga frika e një kthimi në interpretimin e ashpër të ligjit islamik që ishte praktikuar kur talebanët kontrollonin vendin 20 vjet më parë.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur të evakuojnë 5 mijë deri në 9 mijë njerëz në ditë dhe skenat kaotike në dhe përreth aeroportit kanë nxitur kritika.

Nënpresidentja Kamala Harris, duke folur gjatë një vizite të hënën në Singapor, tha se do të ketë kohë të mjaftueshme më vonë për të analizuar atë që ka ndodhur, duke theksuar se misioni kryesor është “evakuimi i njerëzve që meritojnë të evakuohen nga ai rajon”.

“Ne jemi të përqendruar në evakuimin e qytetarëve amerikanë, afganëve që punuan me ne dhe afganëve që janë më të brishtë, përfshirë gratë dhe fëmijët,” tha zonja Harris.

Kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong, ofroi një avion ushtarak për të ndihmuar evakuimin.

Vende të tjera po dërgojnë avionë, përfshirë Japoninë, e cila tha se po dërgonte një avion ushtarak të hënën për të evakuuar qytetarët e saj nga Afganistani.

Talebanët akuzuan të dielën Shtetet e Bashkuara për kaosin rreth aeroportit të Kabulit.

Ministria Britanike e Mbrojtjes ka konfirmuar vdekjen e shtatë afganëve pranë aeroportit të shtunën.

“Ka paqe dhe qetësi në të gjithë vendin”, tha Amir Khan Mutaqi, një udhëheqës i lartë i talebanëve, duke theksuar se “kaos ka vetëm në aeroportin e Kabulit”.

“Amerika, me gjithë fuqinë dhe aftësitë e saj, dhe me presidentin që i kushton vëmendje të drejtpërdrejtë procesit të evakuimit, nuk ka arritur të vendosë rendin në aeroport,” tha Mutaqi.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera kanë dërguar trupa për të menaxhuar përpjekjet e evakuimit në aeroport.

“Kushtet në terren mbeten jashtëzakonisht sfiduese, por ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të menaxhuar situatën në mënyrë sa më të sigurt”, tha ministria Britanike e Mbrojtjes në një deklaratë.

Udhëheqësit talebanë thonë se Afganistani dëshiron marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar, por evakuimi kaotik po dëmton vullnetin e tyre të mirë mes afganëve. Mutaqi tha se kriza ka parandaluar aeroportet në të gjithë vendin që të transportojnë afganë në dhe nga Kabuli, duke shtuar problemet me të cilat përballet kombi i shkatërruar nga lufta./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *