Një ditë pas aksidentit tragjik, ku nëna e dy fëmijëve humbi jetën pasi u shtyp nga makina e një 20-vjecari, semafori është rikthyer në punë. Por edhe pse është marrë kjo masë, ajo nuk ka përmirësuar aspak gjendjen e sigurisë. Vetëm disa metra më tutje në semaforin tjetër të rrugës një motor u aksidentua me një automjet. Fatmirësisht nga përplasja drejtuesi i motorit u dëmtua lehtë, ndërkohë që brenda 24 orëve në zonë kanë ndodhur dhe tre aksidente të tjera. Një problem sipas qytetarëve është semafori, i cili prej kohësh nuk punonte. Për disa të tjerë mungojnë vijat e bardha. Por edhe në të tilla situata ku parametrat e rrugës lënë për të dëshiruar ka nga ata këmbësorë që nuk duan t’ia dinë. Kodi Rrugor parashikon penalitetet dhe për këmbësorët që shkelin semaforin, por mesa duket kjo mbeti vetëm nismë e policisë, e cila nuk u zbatua asnjëherë. Prokuroria dhe policia po hetojnë mbi aksidentin tragjik ku humbi jetën 37-vjecarja Dhurata Prifti. Burime pranë organit të akuzës thanë se 20-vjecari Andrea Manellari fliste në telefon kur ndodhi aksidenti dhe se lëvizte tej normave të shpejtësisë. Ndaj tij policia ka referuar veprën penale te shkeljes së qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, si dhe largim nga vendi i aksidentit. I riu me precedent penal rrezikon nga 6 deri në 21 vite burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *