Subscribe

Në kulmin e debateve lidhur me koncesionet dhe formën e re të aplikuar nga qeveria Rama: Partneritet Publik Privat, aleati kryesor i qeverisë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar një nismë në kuvendin e Shqipërisë ku kërkon që për çdo koncesion apo formë tjetër të tij që zgjat më shumë se katër vite, miratimi të bëhet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe jo nga qeveria. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i mbështetur edhe nga 3 deputetë të tjerë të kësaj force, argumenton në relacionin e projektligjit se arsyet se përse kërkohet ky ndryshim janë parimore. Sipas tij, ato lidhen me përgjegjësitë shtetërore afatgjata, përtej mandateve qeverisëse.

Afatet me te gjata se sa 4 vjet per kontratat koncesionare, jane afate zbatimi qe kalojnë mandatet politike te maxhorancave dhe si te tilla imponojnë nje përgjegjësi politike shtetërore afatgjate dhe detyrimin e zbatimit te tyre korrekt nder vite pavarësisht çdo lloj ndryshimi te karakterit politik.

Por deri tani mazhoranca nuk ka bërë asnjë koment nëse do të miratojë apo jo këtë nisëm ligjore, dhe as nuk ka kthyer përgjigje nëse kjo lëvizje është një monitorim që aleati kryesor i saj po i bën koncesioneve të dhëna deri tani, kontratat e të cilave deri më sot, rastësisht apo jo, nuk janë miratuar në parlament. I pyetur nga Vizion Plus, deputeti Ervin Bushati, i cili është anëtar i komisionit parlamentar të ekonomisë, thotë se socialistët parimisht janë pro çdo nisme e cila synon transparencën dhe mbrojtjen e investitorëve, të tjerat shprehet Bushati, janë spekulime. Në një tjetër amendim të propozuar nga LSI në këtë ligj kërkohet që përpara se të vlerësohet oferta më e mirë, të merret mendimi i ministrisë së financave, asaj të ekonomisë dhe avokaturës së shtetit.

Në rast se institucionet e përmendura në pikën 6 të këtij neni, konfirmojnë leverdishmërinë ekonomike të koncesionit/partneritetit publik privat si alternativën më të leverdisshme ekonomikisht në krahasim me prokurimin publik, autoriteti kontraktues vijon procedurat e mëtejshme sipas këtij ligji. Në rast se këto institucione i vlerësojnë këto projekte si jo të leverdisshme ekonomikisht, autoriteti kontraktor ndërpret procedurën e dhënies së koncesionit/partneritet publik privat.

Edhe pse Vizion Plus kërkoi një qëndrim zyrtar nga lëvizja socialiste për integrim, nëse këto propozime lidhen edhe me ndryshimet e fundit në qeveri, nuk ka ende asnjë përgjigje. Por socialistët nuk ngurrojnë t’i komentojnë ato si nevojshme për ekonominë e vendit.

Opozita ka akuzuar qeverinë Rama se po kërkon të japë koncesione në disa fusha për përfitime vetjake. Por nga ana tjetër qëndrimi i qeverisë ka qënë se paratë që kërkohen për të investuar në disa fusha nuk mund të përballohen dot nga buxheti i shtetit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *