Ndërsa procesi mësimor pritet të fillojë muajin tjetër, ministrja e Arsimit, Besa Shahini informoi se ende nuk është e qartë nëse mësimi do të zhvillohet me kohë të pjesshmë, të plotë apo të alternuar me mësimin online.

Në një video-mesazh në “Facebook”, ajo deklaroi se këtë vendim e merr struktura e ngritur që vëzhgon situatën e Covid-19.

“Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, është shprehur ajo.


Mes të tjerash, Shahini ka bërë thirrje që të respektohen rregullat dhe të shtohet kujdesi në këtë situatë të pazakontë, pasi kështu do të rriten edhe shanset për t’u rikthyer në bankat e shkollës.


“Dhe kjo është e rëndësishme, sepse ju kam dëgjuar me shumë kujdes: shumica e nxënësve, prindërve dhe mësuesve duan të kthehen në shkollë. Mësimi në kushte shtëpie është i vështirë. Është i domosdoshëm kur nuk mund të kthehemi në shkollë, mirëpo është i vështirë. Ndaj, ju lutem, të ruani distancën, mbani maskat dhe higjienën në mënyrë që të rrisim shanset për t’u kthyer në bankat shkollore.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *