Subscribe

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu iu është drejtuar muslimanëve me një mesazh një ditë para nisjes së muajit të Ramazanit.

 

Spahiu ka ftuar qytetarët që gjatë këtij muaji të begatë të tregojnë solidaritet dhe mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit.

 

“Të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër, nesër është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit.

Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, ju përcjell urimet më të sinqerta që ky Ramazan të jetë muaji i faljes, muaji i begatisë, muaji mirëkuptimit të ndërsjelltë me njëri-tjetrin, muaji i ngritjes morale dhe shpirtërore, për përballimin me sukses të çdo vështirësie që kemi.

Gjatë Ramazanit ju ftojmë të jeni më solidarë me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mira”, shprehet ai.

 

Kreu i KMSH uron besimtarët për nisjen e muajit Ramazan dhe vlerëson sakrificën e tyre në emër të besimit.

 

“Të nderuar besimtarë, çdo gjë gjatë këtij muaji ka vlerë shumëfish më të madhe, prandaj njerëzit përmes sakrificave të shumanshme personale, synojnë të lartësohen shpirtërisht dhe të afrohen më shumë me Zotin.

Gjithashtu ky muaj, është muaji i veprave të bamirësisë që impaktojnë në të gjithë shoqërinë.

Të lëmë anash mospajtimet, mëritë e egoizmin.

Të synojmë të arrijmë vetëm kënaqësinë e Zotit dhe harmoninë me njerëzit, me të cilët rrethohemi.

Uroj që ky të jetë muaji i faljes për ne.

Duke ju uruar muajin e Ramazanit më lejoni tju dëshiroj një agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi e prosperitet për ju dhe familjet tuaja!

Bujar Spahiu

Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”, përfundon ai.

 

Muaji Ramazan nis me 23 mars dhe do të përfundojë më 21 prill. Gjatë këtij muaji, besimtarët muslimanë agjërojnë në kujtesë të njerëzve në nevojë dhe si një ritual i këtij besimi fetar që në gjënëze të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *