Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë gjenden në Uashington për të vijuar procesin e dialogut me fokus bashkëpunimin ekonomik.

Pala serbe ka këmbëngulur në këtë pikë edhe pse kryeministri Avdullah Hoti ka përsëritur vazhdimisht se në tryezë është njohja reciproke, pa alternativë.

Ndërkohë, udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka deklaruar se konflikti politik së pari kërkon zgjidhje politike.

ELIOT ENGEL

KONGRESIST AMERIKAN, MARREDHENIET E JASHTME

“Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili është duke larguar vendin e tij nga komuniteti veri-atlantik dhe është duke e afruar me Rusinë, ka kundërshtuar vënien e njohjes reciproke në tavolinë. Në fakt, delegacioni serb ka thënë se do të jetë pjesë e negociatave për të diskutuar çështje ekonomike. Ndonëse nuk ka asgjë të keqe për rritje të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik, konflikti politik kërkon zgjidhje politike”.

Engel ka nënvizuar se edhe personat që qëndrojnë mbrapa spastrimit etnik, dhunimeve dhe krimeve të  tjera të luftës, të kryera gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviç, duhet të përballen me drejtësinë.

Ndërsa vëren se një zgjidhje përfundimtare e konfliktit duhet të përfshijë pikat kyçe.

“Marrëveshja përfundimtare duhet të hapë rrugën për Kosovën dhe Serbinë, që të jenë pjesë e strukturave veri-atlantike, duke përfshirë Bashkimin Europian dhe NATO-n, duhet t’i garantojë Kosovës anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizatave të  tjera të rëndësishme ndërkombëtare.”

Deklarata e kongresistit Engel ka ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *