Subscribe

10 muaj pas ngërçit të krijuar për ndërtimin e tunelit të Skarficës përgjatë rrugës Kardhiq Delvinë, nis ndërtimi i tij.

Në shesh të xhirimit ishte kryeministri Edi Rama.

Rruga Kardhiq Delvinë, 34 kilometra e gjatë, është një segment i rëndësishëm që lidh Sarandën me qytetet e tjera në më pak kohë. Është llogaritur se distanca mes Tiranës dhe qytetit bregdetar shkurtohet në 3 orë. Dy vite nga nisja e punimeve, loti i parë, i dytë dhe i tretë është përfunduar.

Paralelisht me përfundimin e tre loteve të fundit, do të ndërtohet edhe tuneli i Skarficës, segmenti që çoi në dorëheqjen e Sonila Qatos, ish drejtorja e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në shtatorin e 2019, tenderi për ndërtimin e tunelit të Skarficës me një fond prej 23 milionë eurosh u bë shkak që punimet të shtyheshin përtej afatit të përcaktuar. Në atë kohë kompania “Gjoka Construction” e shkualifikuar, kallëzoi penalisht Sonila Qaton për shpërdorim detyre, pabarazi në tender dhe korrupsion pasiv. Çështja u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili e rrëzoi vendimin e ARRSH-së, por ky i fundit refuzoi të zbatojë vendimin. Në këtë situatë Ministria e Infrastrukturës anuloi fondin për këtë segment të rrugës Kardhiq Delvinë për 2019.

Në intervistën e dhënë për emisionin e-zone në Vizion Plus, Ergys Verdho, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar bëri me faj Komisionin e Prokurimit Publik për mosdhënien e një vendim final deri në përfundim të hetimeve të nisura nga prokuroria. Sot me pak se dy muaj nga deklarata e drejtuesit të ARRSH, duket se ngërçi është zgjidhur.

Punimet kanë nisur, kompania ndërtuese siç duket edhe në këto pamje është “Gjoka Construction”ajo që paditi dhe çoi në dorëheqjen e ish kreut të ARRSH-së, Sonila Qaton, por ajo që nuk është bërë publike është fondi me të cilën do të ndërtohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *