Nishani uron Tusk për rizgjedhjen në krye të Këshillit Evropian

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi sot Donald Tusk, me rastin e rizgjedhjes në postin e lartë të Presidentit të Këshillit Evropian.
Në mesazhin e urimit, Nishani shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që z. Tusk i ka dhënë procesit të integrimit evropian të vendit tonë dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Integrimi evropian mbetet alternativa e vetme dhe projekti më madhor i shqiptarëve, ndaj dhe jemi të vendosur për të vijuar përpara në këtë drejtim, si në aspektin e reformave të brendshme ashtu edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, thotë Presidenti në mesazh.
Shpreh bindjen, vijon ai, se pavarësisht sfidave dhe çështjeve shumë delikate me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij, vëmendja juaj do të vijojë të jetë domethënëse për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Me gjithë përparimin thelbësor dhe raportet e reja pozitive ndërshtetërore, rajoni i Ballkanit Perëndimor, ka ende nevojë për një vëmendje dhe mbështetje më të qenësishme nga të gjitha strukturat e BE-së, citohet mesazhi i Presidentit Nishani.




