Presidenti i republikës Bujar Nishani, në takimin me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, ka shprehur keqardhjen për viktimat e sulmit terrorist në Bruksel. Temë kryesore e bisedës ishte reforma në sistemin e drejtësisë. Sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit pranë presidencës, kreu i shtetit shqiptar, duke vlerësuar kontributin e Komisionit të Venecias, theksoi se opinioni përfundimtar për amendimet kushtetuese do të ndihmoje klasën politike shqiptare për të vijuar me përkushtim reformën në drejtësi. Nishani tha se të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë në Shqipëri po punojnë mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Sipas tij, opinioni përbën udhërrëfyesin dhe bazën për te realizuar një reformë të vërtetë, për te pasur një sistem gjyqësor efiçient, llogaridhënës dhe të pavarur.