Subscribe

Parku “Rinia” në qendër të Tiranës po transformohet në një mjedis më të gjelbër, më argëtues për fëmijët e më të këndshëm për qytetarët.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve, të cilat sjellin jo vetëm përmirësimin estetik të parkut, por pritet të dhjetëfishojnë numrin e vizitorëve.

 

“Sa herë plas historia e ‘skandal, skandal, skandal’, në portalet e gjumit, është muzikë për veshët e mi sepse them: Ka filluar një tjetër punë e bashkisë. Ndaj, kur lexova portalet që shkruanin: ‘skandal te parku “Rinia”, po betonizohet’, thashë më në fund filloi puna dhe nuk do presim katër vjet që të mbajmë premtimet. Do të shkojmë nga një park estetik për syrin, që përdoret nga vetëm disa qytetarë, në një park të transformuar që do të përdoret nga dhjetëfishi i qytetarëve që e frekuentojnë sot atë; një park, i cili do të rikonceptohet si një park ‘butik’ i asaj zemrës së Tiranës”, deklaroi Veliaj.

 

Sipas Veliajt, fillimi i punimeve shënon një tjetër premtim të mbajtur ndaj qytetarëve të Tiranës, pasi pas çlirimit të parkut nga ndërtimet pa leje që u lejuan aty para viteve 2000, aty nuk ishte investuar më.

 

“Nuk kemi pritur as 4 javë që të fillojmë mbajtjen e premtimeve të 30 qershorit, një prej të cilave ishte rehabilitimi i total i parkut “Rinia”, një park i cili shpëtoi falë kryebashkiakut Edi Rama në mandatin e tij, që u çlirua nga “republika e rrumpallës”. Ne duam që ashtu si tek Parku i Liqenit, investimet shtesë siç mund të jenë këndi i lodrave, pistat, shatërvanët, të sjellin më shumë përdorim të parkut nga qytetarët. Duam që ky park të mos jetë vetëm një fjetinë e madhe për ata që i kap dremitja e drekës në park ose për ata që vandalizojnë ‘Monumentin e Pavarësisë’, por të rikonceptohet totalisht, për të pritur disa grupmosha qytetarësh.Një gjetje e veçantë është krijimi i një sistemi unik për mbrojtjen e Monumentit të Pavarësisë nga vandalizimi. “Në çdo qytet të madh ndodhin gjëra të tilla, ndaj nuk ka nevojë të na kaplojë histeria, sa herë dëmtohen monumentet. Nuk i vëmë dot roje çdo lapidari e monumenti, por kësaj here kemi gjetur diçka më kreative: Do të kemi një rrethim me ujë të Monumentit të Pavarësisë, që do të thotë se do të jetë pak më e mundimshme për dikë që do të dojë të prishë monumentin”, shtoi Veliaj.

 

Kryebashkiaku tha se një tjetër lajm i mirë është edhe krijimi i hapësirave të dedikuara në park për ata që dëshirojnë të luajnë me katërputroshët e tyre, por në të njëjtën kohë edhe duke ofruar siguri për të gjithë ata që vizitojnë Parkun Rinia. Ndaj, projekti për rikualifikimin e parkut parashikon edhe një zonë të rrethuar.

 

Investimi i Bashkisë së Tiranës tek Parku Rinia parashikon krijimin e disa minishesheve, sheshe për fëmijë, labirinthe, park lojërash, lojëra për të moshuar si shah, domino etj. Është parashikuar ndërtimi i një baseni ujor, që kulmon nga Monumenti i Pavarësisë dhe përfundon në pjesën fundore të parkut, ndërsa rrugicat do të shtrohen me gurë dekorativë. Gjithashtu, është parashikuar vendosja e ndriçimit LED dhe rrjeti i linjave rezervë për internet dhe telefoni, sistemin e vaditjes dhe të drenazhimit, e të zgarave për parkimin e biçikletave.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *