Më shumë se dy milionë myslimanë nga e gjithë bota kanë nisur pelegrinazhin vjetor të Haxhit në Arabinë Saudite, një nga pesë shtyllat e fesë islame që duhet të përmbushet të paktën një herë në jetën e çdo besimtari, kur ai ka mundësi.

 

Edhe pse temperaturat arrijnë në 40 gradë celsius, ritualet do të kryhen në luginën e Mina, në malin Arafat e në qytetin e Mekës, dhe do të zgjasin deri të premten.

 

Pelegrinët do të ecin rreth vendit të më të shenjtë të fesë islame, në Qabe.

 

Kulmi i Haxhit përfshin bërjen e kurbanit të një kafshe shtëpiake.

 

Pavarësisht se haxhi mund të kryhet në pesë apo gjashtë ditë, shumë pelegrinë vijnë më herët në vendin e shenjtë për të përmbushur detyrën e tyre fetare.

 

Haxhi mbledh myslimanë nga e gjithë bota, pavarësisht nga kultura, përkatësia etnike, sekti apo klasa. Çdo vit, qeveria saudite cakton një kuotë të numrit të qytetarëve nga secili vend që lejohen të kryejnë Haxhin. Kjo shifër është përcaktuar kryesisht nga popullsia myslimane në çdo vend. Gjatë dy dekadave të fundit, numri i përgjithshëm i pelegrinëve u rrit nga 1.8 milionë në 1995 në 3.1 milion në vitin 2012. Një e treta e të gjithë pelegrinëve jetojnë në Arabinë Saudite, por pjesa e mbetur vjen nga e gjithë bota.

 

Numri i pelegrinëve shënoi një ulje të ndjeshme në vitin 2013 për shkak të një projekti zgjerues në Mekë dhe Medinë, që pritet të përfundohet në vitin 2020. Përveç projekteve, vitet e fundit administrimi i Haxhit në Arabinë Saudite ka sjellë polemika mbi sigurinë dhe rivalitetet politike me disa nga fqinjët e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *