Subscribe

Nga fshati Novoselë i Vlorës, nisi shpërndarja e tapive te tokave në fshat. Ky proces i jep zgjidhje përfundimtare problemit 25-vjeçar të pronësisë mbi tokën bujqësore, që ka sjellë pasoja shumë të rënda duke mbajtur peng zhvillimin e qëndrueshëm rural. 150 certifikatat e para të pronësisë u shpërndanë, në një aktivitet ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama.

“Koha që nga dita që kemi marrë këtë zotim është 2 vjet e gjysmë, por, nëse do t’i kërkoja Drejtorit të Përgjithshëm të hipotekës të tregonte gjithë kalvarin për të përgatitur këtë proces, do duhej të rrinim këtu deri në mbrëmje, pasi situata që trashëgua edhe në hipotekë ishte një situatë katastrofike. Këtë situatë kemi vendosur ta ndryshojmë rrënjësisht dhe jemi duke e ndryshuar, edhe pse jemi të vetëdijshëm që ka ende jashtëzakonisht shumë probleme që lidhen me bazën e të dhënave të informacionit.”

Kreu i qeverisë tha se fshatarët nuk do të duhet të paguajnë për tu pajisur me cerfitifikatën e pronësisë, pasi do të ndiqet modeli i legalizimit të shtëpive në zonat informale.

“Një mesazh, të gjithë fermerëve, të gjitha familjeve që jetojnë prej vitesh me tokën, por që edhe pse e kanë punuar atë, ende nuk e kanë marrë në zotërim, se ka ardhur momenti i tyre për të marrë një shërbim plotësisht falas nga ana shtetit, përmes një bashkëpunimi tanimë të ndërtuar plotësisht mes bashkive, njësive administrative dhe hipotekës. Atë që po bëjmë me sukses për legalizimet, do ta bëjmë me po kaq sukses, edhe për tokën bujqësore, pra, certifikatat e pronësisë për tokën bujqësore falas. Përveç burokracisë, problem tjetër ka qenë tarifa e papërballueshme për të përgatitur dokumentacionin, nga ana e kryetarëve të familjeve në fshat. Kjo i ka penguar që t’i hyjnë kësaj rruge, prandaj ne e morëm tërësisht përsipër këtë kosto.”

Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave të pronësisë, nuk kanë munguar as batutat me kryeministrit dhe banorëve. Gjatë qendrimit në Novoselë, kreu i qeverisë inspektoi ecurinë e punimeve për rehabilitimin e argjinaturës që do të mbrojë nga përmbytja dhe erozioni rreth 5 mijë hektarë tokë. Një investim që do t’i shërbejë 12 mijë fermerëve të zonës. Pas përmbytjeve të shkurtit, në bashkëpunim me donatorë u ndërmorën projekte rehabilitimi dhe ndërtimi të infrastrukturës mbrojtëse, për të cilën prej 25 vitesh nuk është kryer asnjë ndërhyrje rehabilituese.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *