Subscribe

Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 17 shkollave të reja vijoi sot me nisjen e punimeve për shkollën e re të integruar “Kristo Frasheri” në rrugën Don Bosko.

 

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se me këtë nisme do të marrë fund mësimi me dy turne.

 

“Poli i parë ishte tek Universiteti Bujqësor, ku filloi shkolla “Nënë Tereza”; poli i dytë është ky ku jemi sot, me shkollën “Kristo Frashëri”; poli i tretë është tek rrethrrotullimi“Shqiponja”, ish Reparti Ushtarak, ku do të fillojë edhe një shkollë tjetër; poli i katërt do të vazhdojë në zonën e Astirit, ku kryqëzohet me Lanën. Merr fund kështu një pjesë e madhe e stresit të familjeve, të cilat bëjnë transit nga një orë për të vajtur në shkollë e një orë tjetër për t’u kthyer, plus kostoja financiare dhe koha e humbur, por mbi të gjitha, shpëton i gjithë qyteti nga ankthi 20 e kusur vjeçar i mësimit me dy turne”

 

Ndërkohë Veliaj deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit janë një referendum për mënyrën se si do vijojë Tirana.

 

“E kuptoj që detyra kryesore e deputetit është të përfaqësojë në Parlament, ama në përballje me qytetarët, pjesa më e madhe e problematikës janë shkollat, kopshti, çerdhja, uji, dritat, ndaj jam i lumtur që për Laprakën, për Njësinë 11, po punojmë në shumë fronte. Në 30 qershor e kemi garën me veten. Pra, kemi garë që së pari, të japim llogari çfarë punësh bëmë, dhe në datë 30 qershor t’ju kërkojmë njerëzve se duam t’i vazhdojmë këto shkolla, këto kopshte, këto çerdhe, duam të vazhdojmë me ujësjellësin, duam ta zgjerojmë Bovillën, duam të vazhdojmë të mbjellim pemë, duam të vazhdojmë që Bregu i Lumit të jetë një zonë e mirë”

 

Bashkia e Tiranës premton që punimet të mbyllen brenda afatit për të pritur sa më parë nxënësit e rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *