Samiti virtual për Demokracinë nisi me fjalën e presidentit Xho Bajdën i cili i uroi mirëseardhjen udhëheqësve botërorë, shoqërisë civile dhe sektorit privat, duke i ftuar që të trajtojnë kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen demokracitë sot.

 

Kreu i shtëpisë së bardhë prezantoi platformën presidenciale për ripërtëritjen e demokracisë që do të ketë në fokus lirinë dhe pavarësinë e medias, luftën kundër korrupsionit si dhe garantimin e të drejtave dhe lirive bazë të cdo individi.

 

 

JOE BIDEN

PRESIDENT I SHBA

 

“Demokracia ka nevojë për kampionë pasi po përballet me sfida të vazhdueshme dhe alarmante në mbarë botën.Trendet e demokracisë gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar, prandaj ripërtëritja e saj kërkon përpjekje të vazhdueshme. Demokracia nuk ndodh aksidentalisht, duhet ta ripërtërijmë në çdo gjeneratë. Në planin e brendshëm, ne kemi nisur një sërë iniciativash për t’ua përmirësuar jetën amerikanëve, por po ashtu po dyfishojmë mbështetjen tonë për demokracitë në mbarë botën”.

 

Presidenti Biden shtoi se autokracitë e fuqishme në botë, përmes presionit të jashtëm, po tentojnë që ta zgjerojnë ndikimin e tyre. Sekretari i shtetit, Antoni Blinken gjithashtu nënvizoi sfidat me të cilat përballen të gjitha shtetet prandaj kërkoi bashkëpunim nga të gjithë udhëheqësit.

 

ANTONY BLINKEN

SEKRETAR I SHTETIT, SHBA

 

“Ne e dimë gjithashtu se krimi i organizuar, i mbështetur nga aktorët e korruptuar, mund të destabilizojë sundimin e ligjit, të përkeqësojë besimin në institucione publike dhe të dobësojë qeverisjen demokrate. Kemi shumë punë për të bërë, prandaj jemi këtu sot. Secili vend përballet me sfida në kuadër të demokracisë prandaj kemi një mundësi shumë të mirë që të mësojmë nga eksperienca e gjithësecilit.”

 

Organizimi dy ditor është pjesë e zotimit të presidentit Biden gjatë fushatës elektorale, për të forcuar demokracinë në mbarë botën, në një kohë kur qeveritë autokratike janë në rritje. Në të marrin pjesë 110 shtete, mes tyre edhe Shqipëria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *