Subscribe

Krerët e 29 vendeve anëtare të NATO-s dhe shumë vende partnere janë takuar këtë të mërkurë në samitin e Brukselit që zgjat dy ditë. Ata pritet të marrin vendime për të forcuar mbrojtjen e kufijve të europës. Por që në nisje të punimeve, spikatën kritikat e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Gjermanisë, për marrëveshje “miliarda dollarëshe” me Rusinë rreth tubacioneve të gazit natyror.

 

“Ne jemi duke mbrojtur Gjermaninë. Ne jemi duke mbrojtur Francën. Jemi duke mbrojtur secilin. Kjo është e padrejtë ndaj shtetit tonë. Është e padrejtë ndaj taksapaguesve tanë.”

 

Pjesë e diskutimeve ishin dhe hapat e luftës kundër terrorizmit. Duke folur përpara Samitit të Brukselit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët do të japin më shumë.

 

Fjala është për shpenzime shtesë prej 266 miliardë dollarësh për mbrojtjen, deri në vitin 2024.

 

Stoltenberg shpjegoi më tej se liderët do të marrin vendime për të rritur gatishmërinë e forcave aleate, modernizimin e strukturës së komandës së NATO-s dhe për të bërë më shumë në luftën kundër terrorizmit.

 

Ndërkohë aleanca  pritet që të ftojë edhe Shkupin për të filluar bisedimet e pranimit të Maqedonisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *