Subscribe

Që prej datës 31 gusht, të gjithë individët apo bizneset të cilët duan të rivlerësojnë pronat e tyre, mund t’u drejtohen zyrave vendore të pasurive të paluajtshme në të gjitha rrethet e Shqipërisë për të tërhequr formularët e për t’i dorëzuar më pas në sportele. Në një intervistë për Vizion Plus, kryeregjistruesi Ilirjan Muho, sqaron se ka nisur udhëzimin në të gjithë kadastrat për të qënë gati për pritjen e qytetarëve. Por çfarë procedure duhet të ndjekë dikush që kërkon të rivlerësojë një pasuri? Fillimisht, pronari apo një person me prokurë për të kryer këtë proces, duhet të marrë formularin në sportelet e hipotekës, ose ta printojë atë nga fletorja zyrtare. Më pas ai duhet të plotësojë pikën 1 dhe pikën 2, ku janë të dhënat e tij, numri i pasurisë dhe taksa që duhet të paguajë. Pas dorëzimit ai bën pagesën në bankë dhe brenda 48 orësh, ndryshimi i vlerës së pronës reflektohet në kartelën e pasurisë. (ose tapi) Ndryshe nga rivlerësimi që u bë në vitin 2011-të, këtë herë përfitojnë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi, ato që kanë një leje legalizimi dhe ato që janë në proces gjykimi, por që kanë bërë më parë një aplikim në hipotekë. Kush kërkon që të bëjë rivlerësim me vlerën reale të tregut dhe jo me çmimin fiskal të miratuar nga qeveria, duhet të bëjë këtë raport me një ekspert privat të licencuar dhe menjëherë përfiton një çmim më të lartë të pronës së tij. Aplikimi për rivlerësim sjell zhbllokimin e 4 milion pasurive në territorin shqiptar, të cilat në momentin që shiten, duhet të paguajnë taksa të larta. Tashmë, nëse deri në fund të muajit shkurt, shkon në zyrat e hipotekës, askush nuk paguan 15% tatim mbi fitim të diferencës mes vlerës kur ka blerë pronën dhe vlerës së tregut, por vetëm 2%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *