Subscribe

Galerinë Kombëtare të Arteve nuk e keni parë asnjëherë më parë kështu. Fëmijët i kanë dhënë ngjyrat e shpirtit të tyre këtij institucioni. Një gjallëri të tillë e gjen edhe brenda në atelienë e edukimit, edhe pse kjo atelie nuk ka hapësirën për t’i pritur të gjithë. Ndaj edhe projekti “1000 penelata në telajo” është zhvendosur në hollin e Galerisë së Arteve. Penelatat e këtyre artistëve të vegjël kanë pushtuar që ditën e parë telajon e vendosur në njërën nga faqet e murit të Galerisë. Projekti që mirëpret jo vetëm grupe fëmijësh të organizuar nga shkolla artistike, por edhe fëmijë që shoqërohen nga prindërit, u siguron atyre gjithçka u duhet për t’u ndier artistë. Tubetet me ngjyra, furçat, telajon e madhe po edhe pecetat që u duhen fëmijëve për t’u kthyer në shtëpi të pastër janë aty për të vegjlit. Madje edhe kuratorët e këtij institucioni do të jenë aty çdo paradite të kësaj pranvere për t’i këshilluar e ndihmuar në idetë e tyre.
Vetë drejtuesi i Galerisë fton të gjithë fëmijët që duan të pikturojnë e të lënë gjurmë në Galerinë Kombëtare të Arteve të regjistrohen në këtë projekt dhe të jenë të shoqëruar me një të rritur. “1000 penelata në telajo” që mori jetë paraditen e së mërkurës do të vijojë të presë ngjyrat e fëmijëve edhe për një muaj, deri më 13 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *