Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi fillimin e punimeve për ndërtimin e maternitetit të ri në Berat.

 

Marteniteti do t’i shërbejë 120 mijë banorëve të këtij qarku, ndërsa ministrja theksoi se ai do të jetë bashkohorë dhe se do të përfundojë brenda 20 muajve.

 

“Vijmë në Berat me një premtim të mbajtur të qeverisë, një kërkesë e vazhdueshme e këtij komuniteti, për ndërtimin e maternitetit. Do të jetë një maternitet bashkëkohor brenda korpusit spitalor, me kapacitet 40 shtretër, që pritet të përfundojë brenda 20 muajsh”, tha Manastirliu.

 

Projekti i ndërtimit të maternitetit të ri të Beratit parashikon rehabilitimin e godinës një katëshe, ku aktualisht ushtron aktivitetin materniteti, si dhe zgjerimin e tij me ndërtimin e një kati shtesë, duke përfshirë reanimacionin dhe të gjitha shërbimet e gjinekologjisë, obsetrikës dhe neonatologjisë.

 

Gjatë inspektimit të fillimit të punimeve për maternitetin e ri, Manastirliu tha se fokusi i investimeve është transformimi i spitaleve rajonale, për të ofruar shërbim cilësor afër vendbanimit.

 

Manastirliu bëri me dije gjithashtu se investimet strategjike për rijetësimin e materniteteve do të vijojnë në të gjithë vendin.

 

“Me fokus te shëndeti i nënës dhe fëmijës, vijojmë transformimin e materniteteve, jo vetëm në Berat, por kemi nisur punën për ndërtimin e maternitetit të Kukësit dhe së shpejti, maternitetit të ri të Lezhës”, tha Manastirliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *