Subscribe

Si pak herë dita e parë e fushatës zgjedhore, ajo zyrtare, nuk është shfrytëzuar nga forcat kryesore politike për të zbritur në shesh. Siparin e forcës në numra do ta hapë koalicioni “Bashkë Fitojmë”, të shtunën në stadiumin “Arena Kombëtare”.

 

Partia Socialiste nuk do t’i përgjigjet me të njëjtin mënyrë kundërshtarit të tij më fortë. Sheshet e mbushura me militantë do t’i  zëvendësojnë me pemë. Të paktën për dy javët e para kryesocialisti Edi Rama me të tijtë do të jetë në disa prej bashkive të vendit për të vënë në jetë idenë e tij, më shumë gjelbërim dhe më pak zhurmë zgjedhore. Organizimet me flamuj, muzikë dhe fjalime do të zëvendësohen nga takime më të reduktuara në numër, por edhe në shpenzime. Gjysmën e buxhetit që qeveria i jep vetëm për fushatën elektorale do ta shpenzojnë për mbjellje të fidanëve të rinj dhe njëherësh me ligjërimin e rritjeve të  rrogave për të punësuarit në shtet.

 

Kurioze në këto zgjedhje mbetet fushata elektorale që do të zhvillojë Partia Demokratike. Ndoshta do të jetë e vetmja forcë politike e opozitës, që nuk do të ketë nevojë për burime të tjera financiare. Numri i kandidatëve për kryetar bashkie në garë është i vogël dhe lekët në dispozicion nga qeveria dalin e teprojnë.

 

Për 14 majin në garën për kryebashkiakë janë 144 kandidatë.  Partia Socialiste dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të kërkojnë fitoren në të 61 bashkitë e vendit. Demokratët në një numër disa herë më të ulët, vetëm në 13 bashki. Vëmendjen duket se do ta marrë gara për të parin e bashkisë Tiranë. Gjashtë të tillë e synojnë.

 

Në bashkitë e tjera ajo do të zhvillohet më së shumti mes dy kandidatëve, atyre të Edi Ramës dhe Sali Berishës. Në pak qytete në garë janë edhe kandidatët e  Enkelejd Alibeaj.

 

Socialistët flasin për një fitore të sigurt mbi 45 bashki, ndërsa kundërshtarët e tyre koalicioni që bën bashkë Sali Berishën dhe Ilir Metën në të gjitha. Gjithsesi përgjigjen lufta e shifrave do ta marrë në 14 maj, ditën kur zgjedhësit do të vendosin me votë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *