Një aksion i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) është parashikuar të zhvillohet në Theth, për të shembur ndërtimet pa leje në këtë zonë të mbrojtur.
Dhjetëra forca policie dhe grupe të IKMT po zbarkojnë në këtë pikë turistike në kulmin e sezonit për të nisur zbatimin e planit të shembjes për së paku 11 objekte, që janë identifikuar ndërtime në kundërshtim me ligjin.
Lidhur me aksionin ka reaguar kreybashkiaku socialist i Shkodrës, Benet Beci i cili thekson se paligjshmërisë do t’i jepet fund.
“Boll ma, tokë e xanun”, aksioni kombëtar i IKMT, Policisë së Shtetit dhe strukturave shtetërore i mbështetur edhe nga Policia Bashkiake mbërrin në Theth. T’i japim fund paligjshmërisë”, shkruan Beci.
Aksioni vjen pas ultimatumit të kreut të qeverisë, Edi Rama për lirimin e hapësirave publike të cilat janë zaptuar nga bizneset pa të drejtë./vizionplus.tv





