Ngrihet Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor. Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është mbajtur mbledhja e parë e këtij komiteti, ku janë zgjedhur drejtuesit e tij.

 

Në kuadër të zbatimit të Ligjit të ri të Kujdesit Spitalor në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e Komitetit për Planifikimin Kombëta Spitalor, një organ këshillimor ekspertësh të cilët do të kontribuojnë për hartimin e Planit Kombëtar Spitalor, që do të shërbejë për implementin e autonomisë spitalore.

“Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor është krijuar për të mbështetur ndërtimin dhe hartimin e një plani kombëtar për spitalet, me ekspertizën e të gjithë ekspertëve, të cilët janë ftuar të jenë pjesë e këtij Komiteti Këshillimor, i cili ka për detyrë dhe funksion të tij të miratojë këtë plan por edhe të kontribuojë aktivisht në hartimin e këtij Plani Kombëtar Spitalor”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për rolin e Komitetit për Planifikimin Kombëtar Spitalor, Manastirliu tha se duhet të hartojnë dhe miratojnë në një kohë sa më optimale Planin Kombëtar Spitalor, një plan 10 vjeçar që do të transformojë shërbimin spitalor në vend.

 

“Ky plan kombëtar ka një rëndësi parësore. E para në aspektin e një dokumenti strategjik për zhvillimin spitalor në vendin tonë. E dyta për kombinimin e këtij Plani Kombëtar Spitalor me planin e burimeve tona njerëzore, një plan i cili është duke u hartuar dhe do të shkojë paralel me projeksionet të cilat ne do të ndërtojmë në këtë Plan Kombëtar Spitalor; nevojën për investime afatgjata në sistem përsa i përket infrastrukturës spitalore; padyshim edhe nevojën për t’u adaptuar me ndryshimet demografike, me ndryshimet epidemiologjike, me barrën e sëmundshmërisë apo me elementë të tjerë socio-ekonomik që kanë vlerë të pasqyrohen në një plan afatgjatë të shërbimit spitalor në Shqipëri. Besoj fort që përpjekja jonë e përbashkët do të na çojë në realizimin e një dokumenti, i cili do të jetë një gur themeli për zhvillimin spitalor në vend”, tha Manastirliu.

Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor është një organ këshillimor i përbërë nga 9 anëtarë, për një mandat 3-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë dhe ka në përbërje: Prof. Arben Gjata, Prof. Anila Godo, Prof. Kozeta Sevrani, Prof. Arben Baboçi, Prof. Mihal Tase, Prof. Orion Glozheni, Prof.Ass. Edmond Zaimi, Prof. Ass. Durim Çela, dhe Prof.Ass. Alban Ylli.
Në mbledhjen e parë të Komitetit është votuar si kryetar Prof. Arben Baboçi dhe nën/kryetare Prof. Kozeta Sevrani.

 

Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor mblidhet me kërkesë të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe ka këto funksione:
– Analizon situatën aktuale të shtrirjes së shërbimit spitalor në vend.
– Vlerëson nevojat dhe kapacitetet spitalore bazuar në kriteret territoriale, demografike, socio-ekonomike, barrën e sëmundshmërisë si dhe plotësimin e kërkesave didaktike dhe shkencore të edukimit mjekësor.
– Paraqet për shqyrtim pranë Ministrit, Planin Kombëtar Spitalor.
– Jep mendime për çeshtjet e përcaktuara në Ligjin për Shërbimin Spitalor në Republikën e Shqipërisë dhe për çeshtje të tjera që lidhen me politikat spitalore të kërkuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *