Subscribe

Nuk ka asnjë dyshim se reforma në drejtësi pengohet nga opozita dhe në mënyrë të veçantë nga ish-kryeministri Sali Berisha, thotë kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Avokat Spartak Ngjela. Por ai ka bindjen se reforma do miratohet, pasi presioni ndërkombëtar është tepër i forte.

“Dalin në pah dy aspekte të rëndësishme. E para, politika amerikane dhe ajo europiane perëndimore, sidomos asaj amerikane ngul këmbë në mënyrë permanente për reformën në drejtësi në Shqipëri. Kurse aspekti i dytë është klasa politike shqiptare, sidomos opozita e drejtuar nga Berisha, që është rast unik që për të shpëtuar korrupsionin e tyre kërkojnë të fundosin shoqërinë. Por aspekti i parë është më i fuqishëm se aspekti i dytë dhe reforma do përfundojë.”

Avokat Ngjela beson se reforma krijon për herë të parë drejtësinë shqiptare.

“Palët janë të irrituara sepse deti ka qenë kos, lugë kanë pasur, kanë futur lugën në det. Pra kanë prekur thesarin e shtetit. Kanë marrë pjesë në korrupsion, në një shoqëri që s’ka pasur drejtësi. Ata janë viktima të padrejtësisë, pavarësisht se padrejtësinë e kanë krijuar vetë”.

Duke mbajtur një qëndrim të drejtpërdrejt për domosdoshmërinë e kësaj reforme, Ngjela thekson se kush nuk e voton atë, del kundër drejtësisë, pasi drejtësia sipas tij nuk është koncept partiak.

“Shikoni si e kanë katandisur. Si mund të kthehemi atje ku kemi qenë? Këto janë turpe. Politika amerikane e ka marrë shumë seriozisht sepse është investuar Presidenti amerikan. Nuk e kuptoj se çfarë aguridhiteti politik tregojnë.”

Nismën e shpallur tashmë zyrtarisht për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli, Ngjela e konsideron të shpejtë, pasi duhen marrë në konsideratë kompetencat e kreut të shtetit.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *