Ngërçi i shërbimeve digjitale/ Hoxha: Bizneset në paligjshmëri të plotë, ligji nuk parashikon dështimin e platformës

Prej disa ditësh, komuniteti i biznesit në vend po përballet me një ngërç serioz si pasojë e bllokimit të shërbimeve online, duke paralizuar një sërë procesesh jetike për aktivitetin e përditshëm.
Sipas të dhënave, aktualisht ofrohen 1247 shërbime online përmes platformave të ndryshme shtetërore, nga të cilat 417 janë shërbime të dedikuara për biznesin, ndërsa pjesa tjetër për konsumatorët.

Ndërprerja e funksionimit të këtyre shërbimeve ka sjellë vonesa në faturim dhe arkëtim, rritje të rrezikut për gabime, kosto shtesë operacionale si dhe dëmtim të besimit te procesi i fiskalizimit.
Por a bëhet fjalë për probleme strukturore apo gabime njerëzore?
Kontabilisti Jurilt Hoxha tha në studion e E-ZONE në Vizion Plus se përgjigjja fillestare e institucioneve ka qenë se ligji lejon rikthimin te puna me letër në raste të tilla, por sipas tij, kjo bie ndesh me vetë filozofinë e fiskalizimit.
Ai shtoi se si pasojë e ngërçit, bizneset ndodhen sot në paligjshmëri, pasi ligji nuk e parashikon se çfarë duhet të bëjë tatimpaguesi nëse platforma nuk funksionon.
“Ligji nuk e parashikon se çfarë duhet të bëjë tatimpaguesi nëse platforma nuk funksionon, parashikohen vetëm problemet me internetin ose pajisjet e biznesit. Për mosfunksionimin e platformës qendrore ka një vakuum ligjor. Kjo do të thotë se bizneset ndodhen sot në paligjshmëri. Administrata është e detyruar të zbatojë penalitete që gjenerohen automatikisht, edhe pse faji nuk është i biznesit”, tha Hoxha.
Ai theksoi se kolapsi i plotë ndodhi në muajin janar, por vështirësitë kanë nisur që në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, kur punonjësit prisnin për orë të tëra për të kryer veprime që normalisht zgjatnin vetëm pak minuta.
“Aktualisht sistemi nuk funksionon për shkak të platformës. Në janar ndodhi kolapsi i plotë, por problemet kanë nisur që në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Punonjësit prisnin me orë të tëra para kompjuterit për një veprim pesëminutësh sepse platforma bllokohej.Sistemi i fiskalizimit, i miratuar në vitin 2019, kërkoi dy vite për t’u implementuar plotësisht. Kjo periudhë shërbeu për edukimin e burimeve njerëzore dhe ndryshimin e kulturës së punës nga letra në dixhital. Sistemi përbëhet nga tre komponentë, platforma qendrore e faturave, pajisjet harduerike dhe programet e faturimit. Nëse njëra prej tyre nuk funksionon, i gjithë sistemi bëhet i pazbatueshëm”, u shpreh Hoxha për E-ZONE.
Ndërkohë eksperti i IT-së Tomi Kallanxhi theksoi se menaxhimi i sistemeve nuk duhet t’u lihet kompanive të treta, të cilat, sipas tij, mund të jenë të ekspozuara ndaj ndikimeve të grupeve të ndryshme të interesit.
“Sipas ligjit dhe procedurave të deritanishme, AKSHI nuk mban përgjegjësi teknike, por moralisht patjetër që po. Ne duhet të kemi njerëz të brendshëm, siç është NSA (Agjencia e Sigurisë Kombëtare) në SHBA, ku stafi që zhvillon softuerët janë punonjës të Departamentit të Shtetit. Nuk mund t’ia lëmë menaxhimin e sistemeve kompanive të treta që mund të kontrollohen nga grupe të ndryshme interesi, këta punonjës duhet të jenë pjesë e shtetit shqiptar. Mungesa e transparencës mbi këto tendera, që shpesh konsiderohen sekrete, na bën të ngremë hije dyshimi mbi integritetin e personave që menaxhojnë këto platform”, u shpreh Kallanxhi.

/vizionplus.tv




