Prokuroria e posaçme ka reaguar zyrtarisht për mega-operacionin ku u godit një grup i strukturuar, në mesin e të cilëve personazhe të botës së krimit, zyrtarë dhe ish- zyrtarë të policisë. Sipas SPAK janë lëshuar në total 10 urdhër-arreste dhe është vendosur një masë detyrim paraqitje.
Ndërkohë policia ka arritur që të arrestojë vetëm 4 prej tyre. Konkretisht në pranga kanë rënë Erzen Breçani, Besmir Murati, Bujar Ajezi (Gërmizi) dhe Dedan Gjoni.
Pjesa tjetër është ende në kërkim nga policia, pasi sipas verifikimeve në “Tims” rezultojnë jashtë vendit. Pritet të nisin bashkëpunimet me vendet e Europës, ku ata ndodhen, për të bërë të mundur arrestimin dhe ekstradimin e tyre Shqipëri. Në kërkim janë Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Ervin Mata dhe Eraldi Breçani.
Ndërkohë masë detyrim paraqitje është vendosur për efektiven e policisë Jonida Babameto. Kjo e fundit dyshohet se në kohën kur shërbente në Interpol i ka dhënë informacione grupit kriminal për kundërshtarët e tyre.
Ndaj këtij grupi janë ngritur akuzat “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, etj. SPAK shton se pjesëtarë të grupit kriminal, janë përgjegjës për 4 tentativa për trafikun e mbi 900 kg kokainë e marijuanë në vende të ndryshme të Evropës. Ndërsa paratë e fituara nga veprimtaria kriminale më pas i pastronin në Shqipëri.
Hetimet theksojnë se efektivi i arrestuar, Dedan Gjoni, akuzohet jo vetëm si i përfshirë në trafikun e drogës, por edhe se ka ndihmuar grupin kriminal për të vrarë dy vëllezër për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Kjo vrasje mbeti në tentativë.
Ndërkohë ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili u arrestua në afërsi të stadiumit “Air Albania”, akuzohet për trafik droge dhe pastrim parash. Djali i tij i ka shpëtuar arrestimit pasi ndodhet jashtë Shqipërisë, i cili përballet gjithashtu me akuza të rënda. Një nga emrat më të përfolur i cili është gjithashtu në kërkim është Ervin Mata, i përfshirë në masakrën në zonën e ish-Bllokut në vitin 2018.
Sipas hetimeve të prokurorisë grupi kriminal trafikonte kokainë nga Ekuadori dhe Kolumbia në drejtim të Shqipërisë dhe vendeve të BE. Ndërkohë që planet për të vrarë kundërshtarët ndodhën gjatë viteve 2019- 2020 në Durrës, Belgjikë dhe Holandë.