Kryeministri i vendit, Edi Rama, në episodin e sotëm të podkasdit të tij kishte të ftuar tenorin nga Kosova, Ramë Lahaj.

 

Tenori Lahaj foli për rrugëtimin e tij, që në bankat e shkollës e deri në kohën e vështirë të luftës në Kosovë.

 

Edhe pse fëmijë, tenori tregon se e njeh dhe e ndjen deri në palcë dhimbjen e asaj kohe.

 

Ramë Lahaj: Përsa i përket rrugëtimit për vite të tëra e kam provuar ta diskutoj mes miqsh kur kemi folur për rrugëtimet tona, kur fillimisht iu thoja që nuk kam shkuar as në kopsht sepse nuk kishte kopsht në fshatin ku isha rritur unë. Për shumë ishte periudha e viteve ’90 kur shkollat shqipe dhe po mbylleshin dhe gjithë shkollimi dhe i fillores, por dhe i shkollës së mesme ka qenë i improvizuar sepse mblidheshim nëpër shtëpi private siç e dini rrugëtimin e viteve ’90 të Kosovës. Pastaj në ’99 ngaqë lufta na kishte ardhur në shtëpi edhe sigurisht e ndihmonim luftën gjithsecili në formën e vet, por edhe unë si 15 vjeçar edhe pse isha kaq i gjatë sa jam sot, dashje padashje kam qenë pjesë e saj. Kam kaluar dhe e njoh dhimbjen në palcë të gjithë atij rrugëtimi edhe pse si fëmijë.

 

Lufta, megjithatë, nuk e ndali që të ndiqte ëndrrat. Ai tregon se shkollën që nisi para periudhës së luftës, e rifilloi sërish.

 

Ramë Lahaj: Gjithsesi kam vazhduar pas luftës një shkollë që kisha nisur para luftës, një shkollë që ishte një drejtim i ri sepse ishte fundi i viteve ’99 edhe filloi atëherë një drejtim i ri që ishte për IT, që nuk kisha lidhje fare.

 

Tenori Lahaj ka vlerësuar punën që është bërë me Teatrin e Operas, të cilin e quan shtëpinë e tij dhe të gjithë artistëve shqiptarë.

 

Ramë Lahaj: Unë e kam për detyrë të të falënderoj për gjithë atë punë të mrekullueshme që është bërë në Teatrin e Operas, projektin e parë që e kanë. Jam lumturuar shumë me punën që është bërë, sepse teatri duhet të bëhej. Shqipëria ka shumë yje në botën operistike, sikundër i ka në fusha të tjera, sidomos për artin operistik. Unë  jam lumturuar sepse është shtëpia ime dhe e gjithë artistëve. Jam shumë dakord dhe e kam parë Ermonelën që vjen kohë pas kohe, po kjo ka qenë në fakt edhe një lloj shpagimi, sepse unë po të mos ishin këto emra që ne i përmendëm, unë nuk do të isha këtu, nuk do të kisha këtë eksperiencë jetësore dhe profesionale.

 

Më tej, tenori ka folur edhe për mungesën e Teatrit të Operas në Kosovë dhe sallën e koncerteve. Ai shton se e ndjen si nevojë dhe detyrë që duhet të fillojnë diçka në këtë drejtim.

 

Ramë Lahaj: Ne në Kosovë akoma nuk e kemi një teatër opere, ne akoma nuk e kemi një sallë koncertesh. Domethënë tek unë ka nisur si një nevojë dhe e kam ndjerë si obligim, si presion që duhet të fillojmë diçka. Për fatin tim të mirë të gjitha institucionet pa përjashtim më kanë dhënë mbështetjen e saj dhe ne patjetër që kemi bashkëpunime me Teatrin e Operas, TOB-in këtu në Shqipëri. Domethënë unë e kam ndjerë të nevojshme, kam ndjerë një lloj përgjegjësie për t’i dhënë edhe një dorë, të paktën me ato dy javët e aktivitetit që i ka festivali në Prishtinë dhe është një fakt për të ardhur keq kur sheh të gjithë ato talente, nuk kanë një lloj, motivi siç e kemi patur, se tani po më duket vetja 70-vjeç. Domethënë gjatë gjithë kohës më kanë bombarduar me komente që nuk bëhesh se je vonë dhe prapë ia kam dalë.

 

Gjatë bisedës me kryeministritn Rama, tenori ka velrësuar edhe ndryshimin e kryeqytetit.

 

Ramë Lahaj: Ajo ç’ ka unë shoh në të vërtetë është shoh një Tiranë që është zhvilluar shumë. Shoh një Tiranë që ka marrë formatin e një metropoli dhe ky trend i zhvillimit, sidomos në Shqipëri ne na mbush zemrën plot. Gëzohem kur shoh gjithë këtë zhvillim që po ndodh, qoftë në infrastrukturë, qoftë në gjithçka tjetër që nuk sillet vetëm rreth Tiranës, por rreth gjithë Shqipërisë.

 

Sakaq, ai beson se edhe Prishtina dhe Kosova, me mundësinë që kanë, mund të ndryshojnë.

 

Ramë Lahaj: Prishtina po merr një frymë të re kohët e fundit, me mundësitë që i ka, sigurisht, dihet. Më herët e preka pak që ndoshta Prishtina dhe Kosova akoma nuk i ka mundësitë, por po besoj që me ato mundësi që ka ndryshimet mund të bëhen, ndoshta sepse nuk janë të mëdha, por ndryshimet mund të bëhen. Unë besoj që edhe në Prishtinë edhe në Kosovë ndryshimet po bëhen dhe unë shpresoj shumë që, duke bërë të gjithë ne presion nga fushat që vijmë, si unë me atë që dalim më shesh dhe i them gjithë sheshit dhe thërras dhe kryetarin e kryeqytetit./vizionplus.tv/ 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *