Lufta kundër korrupsionit, është retorika e artikuluar nga të gjitha partitë politike në vendin tonë, gjatë fushatës elektorale, e jo vetëm.

Me ngritjen e SPAK, me mbështetjen edhe të ndërkombëtarëve, synimi ishte i qartë, goditja e të paprekshëve dhe dalja e tyre para drejtësisë sa herë që faktohet se kanë shkelur ligjin.

ISP ka publikuar sëfundmi listën me 13 emrat e politikanëve dhe funksionarëve të lartë, që janë hetuar për korrupsion apo shpërdorim detyre.

I pari në listë është ish-kryeministri Fatos Nano, i cili në vitin 1993 u dënua me 12 vjet burg për abuzim me detyrën dhe korrupsion. Por pas 5 vitesh, në 1998 Nano fitoi pafajësinë.

Ilir Meta, një nga politikanët që vijon të jetë në skenë prej 3 dekadash, në vitin 2011 u akuzua për dy vepra penale, atë të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Por çështja për Metën në atë kohë shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila rrëzoi vendimin dhe e shpalli të pafajshëm.

Por të hetuar rezultojnë edhe dy ish-ministra. Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu janë akuzuar në vitet 2007 dhe 2008 për për të njëjtat vepra penale, abuzim me detyrën dhe korrupsion. Për të dy ata, çështja u pezullua, pasi kaloi afati. Për të njëjtën arsye është pezulluar dënimi edhe për Nikollaq Neranxin në vitin 2009, i cili akuzohej për korrupsion dhe evazion fiskal.

Tom Doshi, i cili është shpallur non grata nga SHBA, u akuzua për deklarim të rremë në vitin 2015, por çështja ndaj tij u pushua nga prokuroria.

Me 6 vite burg është hetuar edhe deputeti Mark Frroku në vitin 2015 i cili u akuzua për fshehje të pasurisë dhe ndërtim të paligjshëm.

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri rezulton i hetuar dhe dënuar nga gjykata.

Së fundmi, një nga çështjet më te nxehta, ajo e inceneratorëve ka vënë para përgjegjësisë disa zyrtarë të lartë. Për këtë, është nën hetim ish-deputeti Alqi Bllako dhe ish-ministri Lefter Koka.

Ndërkohë që ish numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar për këtë çështje dhe akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *