Në kuadër të lehtësimit të masave që do të hyjnë në fuqi më 4 maj, ministrja Ogerta Manastirliu ka njoftuar se do të lejohet shërbimi taksi ndërqytetas me dy pasagjerë, anëtarë të së njëjtës familje.

Ajo theksoi se lëvizja do të realizohet duke zbatuar protokollin e sigurisë.

“Nga data 4 do të lejohet shërbimi taksi, në të gjithë territorin, duke zbatuar protokollin e sigurisë me deri në dy pasagjerë, anetarë të të njëjtës familje për udhëtimet ndërqytetase”, tha Manastirliu.

Mes të tjerash, ajo theksoi se duke filluar nga e hëna, ata persona që do të riatdhesohen dhe janë me banim në zonat e kuqe do të vetekarantinohen në banesë me kushte të rrepta.

“Duke filluar nga data 4 Maj, personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim ne zonat e kuqe do të vetekarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë. Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të percaktuara”.

Po ashtu, ministrja tha se pensionistët në zonat që janë shenjuar me risk të ulët infeksioni, mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjerë mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar, jo më shumë se një person.

“Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim punë të cilët nuk kufizohen nga këto orare. Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim në e-Albania.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *