E premte, 9 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:10 Në vijim ora 13:10: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Nga 10 prilli hyn në fuqi rregullorja e re për udhëtimin drejt vendeve Shengen, ja çfarë duhet të keni parasysh

Duke nisur nga dita e nesërme do të hyjë në fuqi rregullorja e re për të gjithë shtetasit shqiptarë të cilët duan të udhëtojnë në 29 vendet e hapësirës Shengen.

Ministria e Punëve të Jashtëme ka informuar qytetarët mbi rregullat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi prej ditës së premte (10 Prill 2026).

Reklamë

Njoftimi:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon qytetarët shqiptarë se, duke filluar nga data 10 prill 2026, në 29 vendet e hapësirës Shengen hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.

Reklamë

Ky sistem, i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025, do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në zonën Shengen.

Qytetarët duhet të kenë parasysh sa vijon:

Në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen:

të dhënat e pasaportës;

fotografia e fytyrës;

gjurmët e gishtërinjve.

Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.

Në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore; për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.

Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.

Nuk kërkohet aplikim paraprak për EES; regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.

Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit: maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare.

Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të Bashkimit Evropian për EES:

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë