New York, 12 viktima nga zjarri

Të paktën 12 persona humbën jetën, mes tyre edhe një fëmijë 1 vjeçar, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një pallat 5 katësh në lagjen Bronks të Nju Jorkut. Gjithashtu raportohet se 4 persona janë plagosur rende.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio tha se ky ishte zjarri më vdekjeprurës në qytet prej të paktën 25 vitesh.
“Me shumë keqardhje më duhet të raportoj që 12 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe 1 fëmijë 1 vjeçar. 4 njerëz janë plagosur rëndë dhe shpresojmë që të mos kemi humbje të tjera. Fatmirësisht të paktën 12 persona janë shpëtuar dhe zjarri është vendosur nën kontroll në kohën më të shpejtë të mundshme. Kjo është tragjedia më e keqe e shkaktuar nga flakët, që kemi parë në këtë qytet në të paktën një çerek shekulli.”
Shkaku i zjarrit nuk është ende i qartë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Bronxi është një nga lagjet më të populluara edhe me familje me prejardhje shqiptare. Ambasadorja jone në SHBA, ka reaguar në një postim në facebook, ku sqaron se nuk ka asnjë shtetas shqiptar të dëmtuar apo të plagosur dhe ka shprehur gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë.
Mbi 160 zjarrfikës u angazhuan në përpjekjet për të fikur zjarrin dhe për të mos e lejuar që të përhapej. Shkollat pranë ndërtesës së djegur janë shndërruar në qendra strehimi për ata që u evakuuan nga ndërtesa.
Një tragjedi e ngjashme ndodhi edhe në qytetin indian të Mumbait, ku 15 persona humbën jetën për shkak të një zjarri që shpërtheu në një restorant. Flakët përfshinë befas gjatë natës lokalin në katin më të lartë të një ndërtese në zonën popullore Kamala Mills dhe më pas u përhapën me shpejtësi të madhe, në më pak se 30 minuta.
Mediat lokale raportuan se me dhjetëra njerëz kanë mbetur të plagosur.




