E diel, 20 Shtator 2026 Përrallë në Ishull deri në 03:10 Në vijim ora 03:10: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Netanyahu flet në OKB, mesazh të prerë Hamasit: Dorëzohuni dhe lufta mbaron

Një numër i madh delegatësh u larguan nga salla ku u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në momentin që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hyri për të mbajtur fjalimin e tij.

Në nisje të fjalimit, Netanyahu tha se vitin e kaluar kishte paraqitur një hartë që tregonte “boshtin e së keqes” nga Irani dhe përmendi operacionet kundër rebelëve Houthi, goditjet kundër Hamasit dhe Hezbollahut, si dhe shkatërrimin e supozuar të programit bërthamor dhe arsenaleve konvencionale të Iranit.

Ai gjithashtu tha se kishte urdhëruar vendosjen e altoparlantëve në Rripin e Gazës për të transmetuar fjalimin e tij atje.

“Dua të falënderoj personalisht Presidentin Trump që na qëndroi pranë. Megjithatë duhet të jemi vigjilentë. Irani nuk duhet të rikthehet kurrë te aftësia për të pasuruar uranium,” tha Netanyahu, duke kërkuar rikthimin e sanksioneve dhe “shkatërrimin e çdo mundësie rikthimi”.

Reklamë

Më pas Netanyahu u ndal te lufta në Gaza.

Duke iu drejtuar pengjeve, kryeministri tha: “Do të flas drejtpërdrejt me pengjet që mbeten në Gaza, së pari në hebraisht dhe më pas në anglisht, nga foltorja dhe ata do të më dëgjojnë nëpërmjet altoparlantëve që kemi vendosur brenda Gazës. Unë jam kryeministri, nuk ju kemi harruar dhe nuk do t’ju harrojmë kurrë. Nuk do të qetësohemi derisa t’ju sjellim në shtëpi.”

Mesazhi i tij drejtuar Hamasit ishte i prerë: “Dorëzoni armët. Dorëzohuni, lironi njerëzit tanë tani”.

“Nëse dorëzoheni do të jetoni; nëse jo, do t’ju ndjekim deri në fund. Nëse kjo ndodh, lufta në Gaza do të përfundojë menjëherë.”

Netanyahu gjithashtu deklaroi se pas dyerve të mbyllura shumë udhëheqës që publikisht e kritikojnë Izraelin i kanë falënderuar për “luftën” që po bën.

“Në Gaza po shkatërrojmë regjimin terrorist të Hamasit dhe sigurohemi që të mos na kërcënojë më kurrë,” tha Netanyahu.

Akuzat për gjenocid i cilësoi të gabuara.

“Izraeli ka marrë më shumë masa se çdo ushtri tjetër në histori për të mbrojtur civilët. Nëse doni të shihni masat, shikoni çfarë po bëjmë tani në qytetin e Gazës. Hamas e shndërroi popullsinë në mburojë njerëzore.”

Ai pretendoi gjithashtu se 700,000 civilë janë dërguar në vende të sigurta brenda enklavës, dhe kundërshtoi pretendimet mbi urinë, duke deklaruar se Izraeli kishte lejuar hyrjen e 2 tonëve ndihma humanitare dhe akuzoi Hamasin se kishte vjedhur deri në 75% të ndihmave, sipas tij citim i një raporti të OKB-së.

Netanyahu kritikoi edhe vendet që kanë njohur shtetin palestinez, duke përmendur Francën, Britaninë dhe Australinë, dhe i akuzoi se inkurajojnë “terrorizmin” me vendimet e tyre.

Ai kundërshtoi idenë e dy shteteve, duke argumentuar se shumica e palestinezëve nuk e besojnë këtë zgjidhje.

Në çështjen e marrëdhënieve me Sirinë dhe Libanin, Netanyahu deklaroi se tani ekziston mundësia e paqes: ai tha se Izraeli po negocion me “regjimin e ri” sirian për një paqe të qëndrueshme dhe se edhe Libani mund të arrijë paqe nëse udhëheqja e tij do të veprojë për të çarmatosur Hezbollah-un.

“Nëse nuk do të mbeten vetëm fjalë, atëherë do të ketë paqe të qëndrueshme,” përfundoi ai./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë