Spektakli që ka mbajtur publikun në pritje po rikthehet. “Ferma VIP” hap dyert dhe këtë herë, loja nis më e fortë se kurrë.
“Jemi vetëm pak ditë larg startit të madh. Ferma VIP është gati, VIP-at janë gati dhe tensioni ka nisur që tani”, tha gazetarja e Vizion Plus Tea Sadiku.
Këtë edicion, ferma është transformuar në një arenë të vërtetë reality-show. Kamera në çdo cep, mikrofon që kapin çdo fjalë, dhe një hapësirë ku VIP-at do të jetojnë, punojnë dhe përballen me sfida të papritura.
“Ferma është fantastike; e madhe, funksionale dhe me ambiente të reja të shtuara, që krijojnë më shumë hapësirë dhe një koncept tërësisht ndryshe”, u shpreh gazetarja.
Këtë sezon, “Ferma VIP” sjell një përzierje karakteresh. Liderë që duan të komandojnë, rebelë që nuk pranojnë rregulla dhe figura të dashura që kërkojnë harmoni. Secili prej tyre hyn në fermë me një histori, një strategji dhe një ambicie të qartë: të qëndrojë deri në fund.
Nën moderimin e Arbana Osmanit, regjinë e Eduart Grishaj ky produksion mban firmën e Vita Production në drejtimin e Holta Dulakut. Pas çdo momenti në ekran, qëndron një ekip i tërë që punon pa pushim. Regjia ndjek çdo lëvizje, çdo reagim, çdo situatë që mund të kthehet në histori. Sepse në Fermën VIP asgjë nuk i shpëton kamerave.
“Jemi shumë i lumtur për këtë edicion të këtij produksioni, që për mua do të shënojë një kthesë në historinë e televizioneve shqiptare, qoftë për nga angazhimi i të gjithë ekipit, qoftë për atë investim që është bërë si në shtëpi edhe ne teknologjinë me të cilën do të transmetojmë nga dy kanale, por jo vetëm, prajmi do të jetë në teknologjinë më të fundit. Për këtë jam shumë i lumtur, siç jam shumë i lumtur për kastin që do të bëhet pjesë e këtij edicioni”, deklaroi Eraldo Rexho, producent ekzekutiv.
Me nisjen e spektaklit, VIP-at do të lënë pas luksin dhe do të përballen me realitetin e fermës. Punë të vështira, sfida fizike, prova psikologjike dhe një publik që i ndjek në çdo hap.
E madhe ka qenë jehona e deritanishme, kureshtja ende pa nisur, po të shumtë emrat që janë përfolur e diskutuar në rrjetet sociale, si konkurrentë, apo si të ftuar. I jashtëzakonshëm ka qenë edhe interesi i vetë atyre që do të bëhen pjesë e lojës. Ferma VIP rikthehet duke nisur nga kjo e premte. Më e madhe, më e fortë dhe më e paparashikueshme se kurrë.





