Një ditë pasi pamjet e dhunës tronditën opinionin publik, Jashar Maja, i cili ka dalë nga spitali, rrëfen përplasjen me fisin Rraja.
Maja shpjegon se së bashku me kushëririn e tij, Bilbilin, ishin ulur në kafe me inxhinierin e kompanisë që ka guroren në Borizanë të Krujës, për t’i shpjeguar se shpërthimet u kishin dëmtuar shtëpitë.
JASHAR MAJA
“Unë kam porosit një limon soda, cuni i xhajës kafe, ai ka porositur makiato. E mbaj mend si tani, pa na ardhur kafet akoma në tavolinë na kanë ardhur pas shpine 10-15 veta, me makina, me shkopinj bejzbolli, me armë. Na kanë godit me shkopinj, me qytën e armës, nuk mbaj mend me një fjalë, na kanë godit tmerrësisht.”
Maja tregon edhe emrat e familjarëve të deputetit socialist Rrahman Rraja që e dhunuan.
“Unë kam njohur Xhelal Rrajën, ka qenë flamur rraja, ka qenë ai që ka guroren.”
Sipas Jashar Majës, gjithçka nisi për shkak të protestës së banorëve të zonës kundër gurores, pasi shpërthimet kanë dëmtuar rreth 100 banesa.
“ Kemi protestuar vazhdimisht për guroren, jemi ankuar në polici nuk na kanë dhënë rrugëzgjidhje, jemi munduar të diskutojmë nuk na kanë pranuar asnjë herë, nuk dimë tani se ku shkojmë, nuk dimë se ku ankohemi, këtu s ka shtet, s’ka asnjë gjë.”
Dhe sipas Majës, nëse shteti vazhdon të mos reagojë, atëherë ai vetë do të reagojë ndaj atyre që e dhunuan pak ditë më parë.
“Në rast se shteti nuk vepron, do të bëjëm vetëgjyqësi. Dmth në rrethin e Krujës do të rrijë o fisi i Rrajave o fisi…”