Shkupi e konsideron zhgënjyes vendimin e Këshillit Europian ndërsa presidenti i Maqedonsië së Veriut, Stevo Pendarovski i është drejtuar qytetarëve të vendit me thirrjen për unitet.

 

Ai gjithashtu ka ftuar në një takim të përbashkët drejtuesit e partive kryesore politike këtë të dielë.

 

“Të dashur qytetarë, tani nuk është koha e zhgënjimit, apatisë ose përllogaritjeve për të marrë pikë të vogla politike ditore. Jam i bindur se nëse ia duam të mirën vendit tonë qasja e vetme e drejtë duke i marrë parasysh rrethanat e reja, është të jemi edhe më të vendosur në transformimin e shoqërisë sonë. Reformat në shumë sfera, veçanërisht funksionimin e shtetit juridik duhet doemos të vazhdojnë, përballja me krimin e organizuar dhe korrupsioni i lartë, nuk janë vetëm kusht për integrimet por janë shumë më tepër, janë domosdoshmëri për mbijetesë të një rendi të qëndrueshëm juridik.

 

Pas spekulimit të disa mediave të huaja për dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, mediat vendase e konsiderojnë lajmin të rremë ndërsa bëjnë të ditur se  Zaev ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme në Qeveri për të diskutuar se çfarë hapash do të ndërmarren në vijim.

 

Ndërkohë Kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare tha se Maqedonia e Veriut  ballafaqohet me zhgënjim, pasi politikat e qeverisë aktuale bënë që vendi të mos marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në. Mickoski tha se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe se sa më shpejt vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

 

“Mos marrja e datës për negociata është lajm jo i mirë për Maqedoninë. E gjithë kjo është rezultat i politikave të gabuara të viteve të fundit . Vendimi i tillë për mos-marrjen e datës është humbje , por është humbje për politikat e Zoran Zaevit dhe të qeverisë, politikë pa koncept pa vizion, me korrupsion dhe mashtrime. Kjo politikë na shtyu të heqim dorë nga shumë gjëra dhe në fund të përfundojmë pa sukses. Duhet të jemi vetë-kritik dhe të pranojmë se Maqedonia nuk ka marrë  datë për shkak të mungesës së reformave”.

Ndërkohë shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov, zv. kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani si dhe të tjerë politikanë e konsideruan padrejtësi vendimin e liderve të shteteve antare të BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *