Negociatat/ Meta: Jemi ende në kohë për të reflektuar, duhet dialog e bashkëpunim

Presidenti Ilir Meta mendon se Shqipëria ka ende kohë për të bërë më shumë me qëllim që të merret vendimi pozitiv për hapjen e negociatave. Ai deklaroi se ky është momenti që politika të vendosë interesin kombëtar para së gjithash dhe të dialogojë.
“Vetëm një proces i besueshëm, ku vullneti politik vihet në shërbim të vendit dhe interesave madhore, do të mund të parandalojë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme. Kjo do të ishte fatale për ne, veçanërisht duke kujtuar që në nisje të këtij procesi ishim në një korsi me Kroacinë, sot vend anëtar i BE, dhe shumë më përpara Malit të Zi. Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve. Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh por edhe të ofrosh.”
Duke folur për dialogun politik, kreu i shtetit veçoi marrëveshjen për reformën zgjedhore. Sipas tij, kjo është një plus për çeljen e negociatave.
“Në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara. Çmoj kontributin konstruktiv që luajti në këtë proces veçanërisht Komisioneri Varhelyi, Bundestagu gjerman, partnerë të tjerë europianë, si dhe SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Mirëpres qëkjo dakordësi të vijojë për të gjitha ndryshimet e nevojshme të reformës zgjedhore dhe tëfinalizohet me miratimin e shpejtë në Parlament. Padyshim sfida e vërtetë do të jetë zbatimi besnik i Kodit të ri Zgjedhor, dhe sjellja e secilit aktor për të siguruar një proces zgjedhor me integritet qëmbron dhe respekton votën e lirë të qytetarëve.”
Deklaratat presidenti Ilir Meta i bëri në mbledhjen e parë të mbajtur nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian pas vendimit të Këshillit Evropian të 25 marsit.




