Nedim Bajrami transferohet tek Sassuolo. Largimi i Traore për 30 milionë euro tek Bërmuth në Premier League, e detyroi klubin nga Emilia që të ndërhyjë në merkato.

 

Për të plotësuar boshllëkun që la ky lojtar, trajneri Dionisi kërkoi një futbollist si Nedim Bajrami, të cilin e pëlqen shumë dhe e ka kërkuar edhe në verën e vitit të kaluar.

 

Klubet ranë dakord me shifrën e transferimit 6 milionë euro, dhe Bajrami ka nisur tashmë një tjetër aventurë në serinë A, duke veshur fanellën e një skuadre, e konsideruar ndryshe edhe si “Hirushja” e futbollit italian gjatë këtyre viteve, sepse ka prodhuar gjithnjë futboll të bukur dhe ka shërbyer si trampolinë për mjaft lojtarë.

 

Nedim Bajrami, fantazisti i përfaqësues sonë është 23 vjeç. Pasi u rrit si futbollist tek Grashopers në Zvicër, ai u transferua tek Empoli në vitin 2019. Prej atëherë me fanellën e klubit toskan ka luajtur 107 ndeshje duke realizuar 17 gola.

 

Në këtë edicion ka luajtur 8 ndeshje si titullar tek Empoli, duke shënuar edhe një supergol ndaj Milanit.

 

Tanimë tek Sassuolo ai ka shansin të bëjë një tjetër hap të madh në karrierë, duke u konfirmuar si një lojtar i denjë për Serie A, një prej ligave më të forta në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *