Subscribe

Pogradeci edhe këtë vit është një nga qytetet më të kërkuara nga turistët vendas dhe të huaj. E gjithë kjo për freskinë që ka qyteti, kuzhinën tradicionale, mikpritjen e mbi të gjitha çmimet shumë të arsyeshme, duke filluar nga akomodimi, ushqimet e deri te shezllonet. Kjo pranohet nga vetë klientët, të cilët thonë se edhe nëse ka rritje të vogël të çmimeve, ato janë të përballueshme.

 

Fatjona Siamini është nga kryeqyteti, por jeton në Gjermani. Ajo këtë vit ka zgjedhur Pogradecin.

 

Lalinur Pitarka prej 10 vitesh kalon pushimet në qytetin e Pogradecit. Siç thotë edhe vetë, arsyet janë të shumta, mbi të gjitha mikpritja, klima dhe çmimet. Për të njëjtat arsye janë në Pogradec edhe Sokol Mirakaj dhe bashkëshortja e tij. Ashtu siç është në qytetin liqenor edhe Manush Thanasi.

 

Aleko Bregu është një nga operatorët turistikë të këtij qyteti. Për të ruajtur klientelën të cilën e ka prej vitesh, edhe këtë vit ai është munduar të ruajë të njëjtat çmime të vitit të kaluar.

 

“Kemi rritur me 500 lek akomodimin” pranon operatori turistik, duke treguar se çmimi i fjetjes varion nga 35-40 mijë lek në natë.

 

Dritan Hoxha, një tjetër operator turistik në qendër të këtij qyteti tha se pogradecarët kërkojnë të bëjnë turizëm, në asnjë rast në dëm të vizitorëve vendas e të huaj.

 

Qyteti i Pogradecit gjatë 3 viteve të fundit ka pasur një sërë investimesh përfshirë dhe ato buzë liqenit. Investime që për nënkryetarin e bashkisë Paskalino Ziko, kane shtuar numrin e vizitorëve gjatë dy viteve të fundit.

 

Bashkia e Pogradecit ka më shumë se 2500 vende akomodimi hotelier ndërkohë që ka më shumë se 1000 vende akomodimi të bujtinave dhe shtëpive pritëse, të gjitha me çmime shumë të arsyeshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.