Subscribe

Ende nuk dihet se kush do ta formojë qeverinë e re në Kosovë. Pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, dy koalicionet e mëdha dhe Lëvizja Vetëvendosje po bëjnë llogaritë për bashkëpunimet e mundshme.

 

Këtë të martë kryetari i AKR-së, pjesë e koalicionit me LDK-në dhe Alternativën, Bexhet Pacolli ka patur një takim me kandidatin e Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti. Pacolli ka theksuar se takimi ishte rastësor dhe nuk është diskutuar për ndonjë bashkëpunim, megjithatë përpara zgjedhjeve ata ishin takuar pikërisht për këtë qëllim.

 

Ndërkohë një sinjal vjen nga AAK. Anëtari i kryesisë Anton Berisha ka thënë se pjesëmarrja e Vetëvendosjes në qeveri është në të mirën e vendit. Pavarësisht rezervave për ideologjinë e kësaj force, ai sheh një mundësi bashkëpunimi me të.

 

Sipas KQZ-së, Koalicioni i luftës ka marrë 34 përqind të votave, që përkthehet në 39 ose 40 deputetë, Vetëvendosja 27 përqind, me 31 ose 32 deputetë dhe LDK-AKR-Alternativa 25 përqind, ose 29 vende. Shpallja e rezultateve përfundimtare do të kërkojë tre javë, derisa të mbyllen procedurat e ankimimit.

 

Shefi i Misionit të vëzhguesve të BE-së, Alojz Peterle vlerësoi procesin zgjedhor si të qetë, pavarësisht disa parregullsive ne listat e zgjedhësve, votimin familjar, apo presionin ndaj votuesve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *