Në pritje të pagës së dhjetorit, në Shkodër punonjësit e spitalit kërcënuan me bojkot të punës
Muajit janar i kanë mbetur edhe 9 ditë për të përfunduar, por punonjësit e spitalit rajonal të Shkodrës, ende nuk kanë marrë pagën e dhjetorit të vitit të kaluar.
Mbi 700 mjekë, infermierë, sanitarë dhe punonjës të administratës së këtij institucioni janë “peng” i vendimit të autoriteteve, edhe pse vetë spitali i ka kryer me kohë procedurat e kalimit të pagave.
Bluzat e bardha ishin në prag të bojkotit të punës këtë fillim jave, por e shtynë vendimin për të mos penalizuar pacientët.
“Në qoftë se vazhdon kjo situatë do të merren masat e nevojshme, do të bëhen diskutimet me personelin për të marrë një vendim”, tha drejtuesi i sindikatës së shëndetësisë, Paolo Kaceri.
Çdo janar pagat shtyhen me disa ditë, por këtë herë vonesa ka kaluar çdo limit jo vetëm për punonjësit në Shkodër, por edhe për qytetet e tjera.
“Është data 22 dhe mendohet që as sot nuk do merren pagat, kjo është neglizhencë e ministrisë së shëndetësisë sepse spitali i ka kryer procedurat e veta në kohë”, tha Kaceri.
Vonesa e pagave është një fenomen shqetësues, pasi shumë prej këtyre familjeve e kanë burim të parë të ardhurash dhe nuk po arrijnë të kryejnë shlyerjen e detyrimeve të tjera që i kanë shtetit, si ujë, drita etj., që më pas i paguajnë me kamatëvonesë.
Ndërkohë kreu i sindikatës punonjësve të shërbimit shëndetësor Gent Stroni fajëson thesarin e shtetit që ka bllokuar pagesat. Sipas tij, së fundmi është lajmëruar se rrogat do të kalojnë në 26 janar.
Ministria e Financave nga ana tjetër shpjegon se vonesa në kalimin e pagave për infermierët vjen si pasoje e mos dorëzimit në kohë të dokumentacionit të nevojshëm nga ana e fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Ky i fundit sqaron se kjo procedurë është mbyllur të premten vetëm për infermierët dhe pritet që pagat të kalojnë brenda ditës. Mijëra të tjetër duhet të presin ende. /vizionplus.tv




