Në OBSH raportohet numri më i lartë me koronavirus brenda një dite

Më shumë se 150,000 raste të reja me koronavirus u raportuan në Organizatën Botërore të Shëndetësisë të enjten. Kjo është shifra më e lartë brenda një dite të vetme deri tani, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Adhanom Ghebreyesus gjatë një konference të premten.
“Pothuajse gjysma e këtyre rasteve u raportuan nga Amerika, me një numër të madh gjithashtu të raportuara nga Azia e Jugut dhe Lindja e Mesme. Bota është në një fazë të re dhe të rrezikshme. Shumë njerëz kuptohet janë të ngopur duke qëndruar në shtëpi. Vendet me sa duket dëshirojnë të hapin shoqëritë dhe ekonomitë e tyre. Por virusi po përhapet shpejt, ai është ende vdekjeprurës, dhe shumica e njerëzve janë akoma të ndjeshëm”, shtoi ai.
OBSH i nxit njerëzit të vazhdojnë të ruajnë distancën nga të tjerët, të qëndrojnë në shtëpi nëse ndjehen të sëmurë, të përdorin maska kur është e përshtatshme dhe të lajnë duart shpesh.




