Në kërkim të turistëve të rinj, operatorët: Presim izraelitët, duhet të pergatitemi për indianët e kinezët
Në kërkim të rritjes së numrit të turistëve nga viti në vit, Shqipëria nisi në fillim të prillit fluturime direkte me Izraelin.
“Turizmi izraelit ka qenë treg i Shqipërisë, nuk arritëm dot t’i mbajmë për shkak të marketingut të Malit të Zi, por tani po rikthehen. Shpresojmë të jenë të qëndrueshëm, është një kontingjent i rëndësishëm për t’i dhënë ngjyrë turizmit në Shqipëri. Janë të organizuar, vijnë me paketa të paguara për shkak edhe të arsyeve të sigurisë. Ka shumë pak lëvizje individuale.”, tha Zak Topuzi, nga shoqata e operatorëve turistikë.
Gjithashtu, qeveria shqiptare ka hequr vizat me Arabinë Saudite, Katarin, Omanin, Tajlandën dhe Indonezinë, për të zgjeruar sa më shumë hartën e turistëve që vizitojnë vendin tonë.
“Janë turistë që vijnë familjarisht, shpenzojnë. Ne duhet të përgatitemi fort për turizmin indian dhe atë kinez. Ka një rritje të turistëve të shtresës së mesme në Indi që duan të eksplorojnë Evropën dhe Shqipërinë e shohin si një treg interesant.”
Sipas operatorëve turistikë, këto janë rrugë që qeveria shqiptare po gjen për të plotësuar mungesën e turistëve nga Kosova, të cilët braktisën Shqipërinë vitin e shkuar për shkak të liberalizimit të vizave.
“Tregu kryesor i joni është tregu i shqiptarëve që janë jashtë Shqipërisë, duke pasur parasysh që 38% ka qenë Kosova, që ka ardhur në rënie, për shkak të liberalizimit të vizave. Ne duhet të luftojmë fort për të gjetur, për të plotësuar turizmin shqiptar me tregje të tjera. Kërkon modele të reja, më shumë produkte kulturore, më shumë jetë nate.”
Paralelisht me rritjen e numrave të turistëve, operatorët turistikë kërkojnë edhe shtimin e resorteve dhe hoteleve të mëdha me 5 yje, që mund të ofrojnë paketa të plota dhe destinacione të kuruara.
/vizionplus.tv




