“Ne kemi frikë të reagojmë”, ish-deputetja Mehmetaj: Prindër dhe mësues të shkollës ku ndodhi ngjarja nuk ishin pjesë e protestës
Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, plagosja e 19-vjeçarit Aron Demiraj dhe kapja e një 13-vjeçari në shkollën 9-vjeçare të qytetit të Bilishtit janë KRYEFJALA në ditët e fundit.
Po gabon roli i prindërimit apo rrjetet sociale po ndikojnë negativisht tek fëmijët?
Ndërkohë qeveria do të hedhë në diskutim dy propozime, atë të mbylljes së dy rrjeteve sociale që përdorin më shumë adoleshentët, Tik Tok dhe Snap Chat, apo përdorimin e tyre me filtra.
Në emisionin “Quo Vadis” u diskutua këtë të enjte në Vizion Plus tema “Thika, Protesta dhe Propagantë”.
E ftuar Kejdi Mehmetaj, ish-deputete tha se institucionet arsimore kanë një rol shumë thelbësor, pasi siç u shpreh ajo edhe vetë prindërit kanë dalë nga institucionet arsimore.
Mehmetaj, e cila ishte prezente në protestën e sotme deklaroi se shumë prindër të shkollës “Fan Noli”, aty ku ndodhi ngjarja nuk ishin pjesë e protestës.
Ish-deputetja tha se ne si popull kemi frikë të reagojmë.
Mehmetaj: Unë jam mësuar me protesta dhe nuk gjykoj që protesta duhet të ketë numra për të qenë cilësore. Pata një keqardhje si qytetare dhe si nënë që një turmë ecte dhe po një turmë tjetër ecte sikur asgjë nuk kishte ndodhur. I referohem prindërve të shkollës Fan Noli. Nuk i kuptoja këta prindër si mund të vazhdonin normalisht, merrnin fëmijët nga shkolla dhe iknin, e aq më pak nuk kam kuptuar mësuesit. Ne kemi frikë të reagojmë për një gjë kaq të rëndësishme siç është jeta dhe siguria. Këtu është hallka e parë që na çon në problem të tilla e na çon në raste tragjike. Ne themi familja familja, por edhe prindërit kanë dalë nga institucionet arsimorë. Është vërtet familja, por është edhe cikli i arsimit. Ne jemi një vend i vogël që mund të bëjmë gjëra të mëdha. Nuk është asgjë për buxhetin e shtetit të jetojë të investojë në mësues, në arsim. Unë jam afër shkollës Fan Noli dhe nuk kam ku të çoj fëmijën në një kënd lojrash. Nuk ka asnjë vend nëse ti nuk paguan. Ti shkon në maternitet dhe nuk të mësojnë si ta lash fëmijën e jo më ta edukosh. I keni parë si zihen prindërit para çerdhesh, ashtu do zihen edhe fëmijët. Këtu ka shumë fenomene është teknologjia, emisionet. Ne fajësojmë këngët se kam dëgjuar çudira këto ditë dhe nuk fajësojmë atë që fëmija jonë shpenzon më shumë kohë, arsimin. Është e tmerrshme që ti të çosh fëmijën në shkollë dhe të vjen njoftimi që fëmija jot nuk jeton më. /vizionplus.tv




