Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyu për në datën 22 shtator gjyqin për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, ku pritet të vendoset për fatin e tij.

 

Këtë të enjte u mbajt seanca ku do të bëhej mbrojtja e Llallës, por ky i fundit nuk mori dot pjesë për shkak të gjendjes shëndetësore.

 

Avokati Sokol Hazizaj paraqiti akt-ekspertimin mjekoligjor, që sipas tij, provon se klienti i tij vuan nga një sëmundje e rëndë dhe është i shtruar në spital.

 

Pasi u tërhoq në Dhomë Këshillimi, trupa gjykuese vendosi të mos pranojë asnjë provë të re të paraqitur nga avokati.

 

Gjatë seancës së monitoruar edhe nga ndërkombëtarët, mbrojtja bëri kërkesë për pafajësi, kthim të çështjes për rigjykim në shkallën e parë, ose në rast fajësie, pezullim të dënimit me burg.

 

Ndërsa SPAK nga ana tjetër kërkoi që të lihet në fuqi dënimi me dy vite burg dhe pesë vite përjashtim nga postet publike, i dhënë nga shkalla e parë. Adriatik Llalla u dënua në maj të këtij viti për fshehje dhe mosdeklarim pasurie.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *