Në betejë me zjarret
Vapa përvëluese ka shkaktuar vatra të reja zjarresh në zona të ndryshme të vendit, ndërsa situata paraqitet e rënduar.
Zona që njihet si “kurora e gjelbër” e Shkodrës është përfshire nga flaket. Zjarri që ka rënë pak pas mesditës te ditës se hëne ka rrezikuar rreth 300 shtëpi e vila. Pemët shekullore të ullinjve në këtë zonë janë dëmtuar, edhe pse falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse flakët janë vënë shpejt nën kontroll.
Tepelena kaloi nje situate mjaft te vështire ne perballjen me flakët që u përhapen shpejte ne sipërfaqet e pyllëzuar fare pranë zonës se banuar.
Pesë zjarrfikëse u përpoqën gjatë gjithë natës për shuarjen e flakëve, që po rrezikonin edhe spitalin si e depon e ujit. Në ndihmë u erdhën edhe 4 automjete nga Gjirokastra e Përmeti, si dhe forca të ushtrisë. Vatra e zjarrit ishte aktive deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, kur u desh ndërhyrja e helikopterit nga ajri.
Aktualisht, në Tepelenë po operojnë tre grupe zjarrfikëse, ndërsa deri më tani disa hektarë janë shkrumbuar.
Një masiv pyjor me pishë të zezë u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të hëne në fshatin Patin në Bashkinë e Klosit. Të favorizuara edhe nga era, flakët dogjën rreth 2 hektar me pisha.
Ndërhyrja ishte e vështirë. Banorët njoftuan shërbimin zjarrfikës dhe Drejtorinë e Shërbimit Pyjor në Bashkinë Klos. Por kjo e fundit nuk kishte asnjë mjet ndaj iu drejtua për ndihmë bashkisë së Matit, që dërgoi makinën e vetme në dispozicion.
Për shkak të terrenit tepër të vështirë, makina e pati të pamundur t’i afrohej vatrës së zjarrit.
Punën e saj e bënë banorët dhe punonjësit që ndërhynë me mjete rrethanore.
Drejtori i Shërbimit Pyjor në Bashkinë Klos, Jetmir Reçi, tha se zjarrvënia mund të jetë e qëllimshme ose nga pakujdesia.
Por situata nga zjarret vijon të jetë problematike edhe në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër e Shkodër.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 175 forca zjarrfikëse me 30 automjete, 50 trupa të ushtrisë si dhe 24 vullnetarë.




