Teksa kanë mbetur 10 kutitë e fundit pa numëruar në Tiranë gara mes kandidatëve është më e fortë se kurrë për të fituar një vend në parlament.
Partia Socialiste ka marrë 19 mandate, ku 12 janë në listën e mbyllur dhe 7 në listën e hapur. Kjo e fundit kryesohet nga Blendi Gonxhja me mbi 21 mijë vota, i ndjekur nga Erion Braçe me mbi 20 mijë dhe Ervin Hoxha dhe Fatmir Xhafaj.
Tre vendet e fundit për parlamentin e ri, janë ato që kanë dhe përballjen më të fortë, kështu, Ornaldo Rakipi ka lënë pas Xhemal Qefalinë për një grusht votash deri në këto momente, teksa ky i fundit ka më shumë se Anila Denaj dhe Blerina Gjylameti, të cilat nëse rezultati do të jetë i tillë do të jenë në parlament për shkak të kuotës gjinore.
Në garë është dhe Olta Xhaçka, e cila mund t’i rrëmbejë vendin Gjylametit, nëse e tejkalon me preferencat e votës së kryeqytetasve. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga KQZ-ja, në Partine Demokratike që ka siguruar 13 mandate, Jorida Tabaku vijon të jetë më e votuara e listës, e ndjekur nga mjeku Ilir Alimehmeti.
Ndërkohë në vendin e tretë është ngjitur kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe pas tij vijnë dy ish-deputetët Asllan Dogjani dhe Myslim Murrizi. Ndërkohë që vijon numërimi i mbi 49 mijë zarfeve të Diasporës, ndërsa vota e Greqisë nuk ka nisur ende numërimin. Këto të fundit pritet të ndryshojnë balancat për të futur mandatet e fundit mes partive./vizionplus.tv





