Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpjeguar në Komisionin e Shëndetësisë se me ndryshimet e reja ligjore do të shtohen kërkesat për gjurmueshmërinë e kripës për konsum human, shtazor dhe përdorim në industrim ushqimore.

 

“Për herë të parë futet në ligj koncepti i gjurmueshmërisë së kripës i cili u kërkon subjekteve tregtuese të ruajnë informacion për të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, jodizimit dhe shpërndarjes së kripës”, ka shpjeguar Manastirliu.

 

Duke theksuar se aktualisht 75 % e kripës së jodizuar prodhohet në vend, Manastirliu tha se është më e lehtë për institucionet monitoruese dhe inspektuese që të ushtrojnë një numër më të lartë kontrollesh dhe në mënyrë që të verifikohet se kripa në trreg është e jodizuar sipas standardeve.

 

“Do të forcojmë instrumentat e kontrollit dhe monitorimit në mënyrë që kripa që del në treg të jetë sipas standardeve. Testimi për kripën e jodizuar do të bëhet në laboratorë të standardizuar dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkeljet në nivelin, cilësinë dhe ambalazhimin e kripës së jodizuar”, tha Manastirliu.

 

Sipas ministres, të gjitha llojet e kripës ushqimore, që përdoren për konsum shtëpiak dhe për përpunim ushqimi, duhet të pasurohen me jod si strategji e efektshme dhe e sigurt për parandalimin dhe kontrollin e çrregullimeve nga pamjaftueshmëria jodike te ato popullsi, që jetojnë në kushte të qëndrueshme dhe emergjence.

 

Me ndryshimet ligjore, synohet ulja e pamjaftueshmërisë jodike në popullatën shqiptare, si një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve si struma dhe prapambetja mendore.

Ndryshimet ligjore që propozohen vijnë si rekomandim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *