Një parukiere shqiptare që jeton dhe punon prej vitesh në Monako ka marrë vëmendjen e fansave të futbollit dhe jo vetëm pasi u bë pjesë e transformimit të fundit të Erling Haaland. Bëhet fjalë për Juna Ademin, e cila realizoi prerjen e re të flokëve të sulmuesit të Manchester City-t.
Haaland vendosi t’i japë fund flokëve të gjatë bjondë që për vite me radhë kanë qenë pjesë e identitetit të tij sportiv. Ndryshimi i pamjes u dokumentua nga vetë futbollisti dhe u publikua në kanalin e tij në YouTube, ku shihet edhe Juna gjatë gjithë procesit.
Në video, shqiptarja shfaqet duke punuar mbi flokët e Haaland dhe pranon se ndihet disi në stres për rezultatin. “Jam pak në stres, mendoj se do duket mirë me flokë të shkurtër”, shprehet ajo gjatë momentit të prerjes.
Pas përfundimit të transformimit, Haaland shfaqet me një stil krejtësisht ndryshe, duke lënë pas pamjen me flokët e gjatë që ishte kthyer në një prej karakteristikave të tij më të dallueshme. Reagimet e tifozëve ishin të menjëhershme, me komentet që u ndanë mes atyre që e pëlqyen ndryshimin dhe atyre që preferonin stilin e vjetër.
Për Junën, ky është një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare. Nga puna në Monako, ajo tashmë është bërë pjesë e një prej transformimeve më të komentuara të një futbollisti të njohur botëror, duke tërhequr vëmendjen edhe si shqiptarja që qëndron pas pamjes së re të Haaland.
/vizionplus.tv






