Kryeministri Edi Rama vendosi të ndryshojë për herë të pestë përbërjen e kabinetit qeveritar me të cilin filloi mandatin e dytë qeverisës në 2017. Zhvendosjen e Olta Xhaçkës tek Ministria e Jashtme dhe rikthimin e Niko Peleshit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Alfred Peza i cilësoi si lëvizje të duhura dhe të studiuara.

 

“Qeveria është më në formë se kurrë sepse të gjitha ndryshimet janë shumë të studiuara, ku të gjithë ministrat që po marrin detyrat e reja janë me profile të tilla që japin besim publik dhe politik që do të japin performancën më të mirë. Të gjitha akuzat e opozitës janë të zakonshme. Asgjë e re nga fronti i opozitës. Opozita mund të jetë e kënaqur vetëm kur vjen vetë në pushtet. Të dy ish-ministrat kanë treguar personalitet, dinjitet, nuk ka patur kurrë asnjë akuzë, asnjë përfolje. Ata dhe kryeministri kanë qenë njerëzit e duhur në kohën e duhur dhe kanë bërë gjënë e duhur. Kryeministri është nga ata trajnerë politikë që di të hedhë në fushën e lojës ata lojtarë me tiparet që i përgjigjen ndeshjes politike. Në prag të fushatave elektorale dhe të zgjedhjeve e ka parë të arsyeshme që të ketë profile të tilla. Këto janë lëvizjet e duhura, në kohën e duhur.”

 

Në një intervistë për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Sekretari për Mediat dhe Shoqërinë Civile në PS komentoi edhe reagimet e opozitës.

 

“Ata shohin filxhanët vetë dhe mendojnë se çdo njeri kur ndryshon apo pret me qetësi ndryshimin, do të bëjnë edhe nga këto komente. Por askush as nuk qesh me to, jo më ti marrë në konsideratë.”

 

Alfred Peza nuk pret që presidenti Ilir Meta të mendohet gjatë për dekretimin e dy ministrave të propozuar nga kryeministri Edi Rama.

 

“Nuk mendoj se do të ketë surpriza sepse ministër është secili nga politikanët që plotëson kriteret për të qenë deputet.”

 

Këtë të martë, Gent Cakaj njoftoi se i ka dorëzuar dorëheqjen Ramës, vendim që solli edhe lëvizjet e tyre në kabinetin qeveritar. Më herët u largua edhe Sandër Lleshaj nga posti i ministrit të Brendshëm, ndërsa në vend të tij u emërua Bledi Çuçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *