Për të nxitur dhe mbështetur aktivizimin e të rinjve në vend, këshilli i Ministrave ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për Rininë’. Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi njoftoi se dy do të jenë programet e reja.
“Programi i talenteve rinore që do të mbështesë të rinjtë në fusha të ndryshme të artit, kulturës, edukimit, shkencës, teknologjisë, por edhe sportit duke mbështetur pjesëmarrjen e të rinjve në kompeticione ndërkombëtare dhe dhënien e shpërblimeve për ta. Një tjetër program i rëndësishëm është programi i nismave komunitare, që do tu japë mundësinë grupeve të të rinjve të krijojnë projektet e tyre me fokus ndryshimin e qyteteve dhe fshatrave ku ata jetojnë”, tha ministrja për rininë dhe fëmijët, Bora Muzhaqi.
Ndryshime janë miratuar edhe në Programin e Praktikave të punës.
“Për të gjithë të rinjtë që do bëhen pjesë e këtij programi që nga ky vit, do u kompensohet ushqimi, transporti dhe çdo material didaktik që do t’u shërbejë për praktikat. Ata që do vlerësohen me pikë maksimale, do kenë mundësi të bëhen pjesë e administratës publike me anë të një kontrate 1-vjeçare si pjesë e këtij programi”, tha Muzhaqi.
Për të fuqizuar vendimmarrjen e të rinjve brenda dhe jashtë vendit, ministrja tha se parashikohet që të rinjtë e Këshillave Vendorë Rinorë të bashkëdrejtojnë me kryetarin e Bashkisë dhe të kenë angazhim të drejtpërdrejt./vizionplus.tv