Subscribe

Familjarët e Ervis Martinajt kanë bërë denoncim në policinë e Laçit, duke deklaruar se kanë humbur kontaktet me të shumëkërkuarin e drejtësisë.

 

Paraprakisht  mësohet se ka qenë nëna e Ervis Martinajt ajo e cila ka kryer denoncimin, duke thënë se prej 3 ditësh nuk ka pasur kontakte me djalin e saj.

 

Por nga ana e policisë deri tani nuk ka asnjë reagim. Blutë e Lezhës, as nuk e konfirmojnë si lajm dhe as nuk e mohojnë.

 

Dyshimet e tyre janë nëse denoncimi në fjalë mund të jetë një inskenim, ndërkohë që pritet një reagim zyrtar nga policia.

 

Në rast se ky denoncim rezulton të jetë i vërtetë, atëherë është hera e parë kur familjarët denoncojnë në polici humbjen e kontakteve me të shumëkërkuarin e drejtësisë.

 

Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.

 

Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Emri i Ervis Martinit u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo.  Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.

 

Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit.

 

Pak javë më parë, në një atentat u ekzekutua nipi i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *